TIRANË - Në Tiranë sot ka nisur Konferenca e 6-të e Bashkësive Islame të Ballkanit. Me këtë rast një pritje krerëve të këtyre bashkësive u ka rezervuar edhe kryeministri Sali Berisha.

GORMEZ: EUROPA KA 300 VJET, QË NUK KA MËSUAR NGA TOLERANCA FETARE E SHQIPTARËVE

Në faqen online të Kryeministrisë mësohet se në takimin e posaçëm, kryetari i Komunitetit Mysliman në Turqi prof.dr Mehmet Gormez tha se kishin falur namazin një ditë më parë në Shkodër, ku fare pranë xhamisë ishte kisha dhe më tej ka shtuar:

"Europa ka 300 vjet, që nuk e mëson dot këtë leksion, që jep Shqipëria për harmoninë fetare".

"Nuk janë besimet që i vendosin njerëzit kundër njëri-tjetrit, por politikat që i përdorin si pretekst besimet”, - u tha kryeministri Berisha kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit për këtë argument.

BERISHA: BALLKANI, SHEMBULL I BASHKËJETESËS FETARE

Pasi u uroi mirëseardhjen dhe suksese në konferencën e 6-të të tyre, Berisha theksoi rëndësinë e madhe të dialogut me njëri-tjetrin, nga i cili nuk duhet të lodhet askush, ndërsa veçoi shembullin e Shqipërisë, besimet fetare të së cilës nuk e përçanë për asnjë moment këtë komb. “Edhe Ballkani mund të jepet si shembull në botë për bashkekzistencën paqësore të besimeve fetare”- tha Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha u tha kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit se "homologët e tyre në Tiranë e nisën nga zero ringritjen, pas batërdisë që bëri komunizmi, me prishjen e gjithë infrastrukturës së këtij besimi, e cila sot e rindërtuar tërësisht do të kurorëzohet me xhaminë e madhe të Tiranës".


Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)