Grabitën 20 mijë € nga autobusi i linjës Itali-Vlorë/ Apeli i Vlorës rikthen në qeli 2 grabitësit e udhëtarëve

Grabitën 20 mijë € nga autobusi i linjës Itali-Vlorë/ Apeli i Vlorës rikthen në qeli 2 grabitësit e udhëtarëve

VLORË- Megjithëse janë liruar nga gjykata e Vlorës, Ylli Murati dhe Armand Kuqi nga Mamurrasi janë shpallur sërish në kërkim nga policia e këtij qyteti, pasi pak ditë më parë gjykata e Apelit Vlorë, ka vendosur të caktojë masën e sigurisë të “arrestit në burg”. Dy personat e arrestuar Murati dhe Kuqi janë njerëzit kryesorë të dyshuar për grabitjen e autobusit me udhëtarë, që sapo kishte ardhur nga Italia në Vlorë. Pikërisht në këtë grabitje, thotë prokuroria Kuqi dhe Murati kanë qenë të armatosur dhe të veshur me uniform policie, ku nën kërcënimin e armëve kanë mundur të marrin në total 20 mijë euro dy udhëtarëve. Në këtë grabitje një person i tretë i ka ndihmuar duke i transportuar nga vendngjarja, jashtë qytetit të Vlorës, ku dhe kanë braktisur automjetin në fshatin Panaja. Kuqi dhe Murati janë liruar nga qelia në muajin gusht të këtij viti duke u lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”, por prokuroria e Vlorës ka apeluar vendimin duke kërkuar mbylljen në qeli të dy personave, çka bërë që Apeli pak ditë më parë të vendosë masën e “arrestit në burg” për dy personat e mësipërm. Momentalisht Kuqi dhe Murati ende nuk janë kapur, ndërkohë policia e Vlorës vijon kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e këtyre personave. Në vendimin e gjykatës thuhet se:”… Armand Kuqi si dhe mbrojtësi i tij i zgjedhur pothuajse e pranojnë faktin penal pasi deklaruan para gjykatës se i kanë rregulluar marrëdhëniet me njërin prej të dëmtuarve, duke ia kthyer shumën e vjedhur të parave, dhe një veprim i tillë është kryer me deklaratë noteriale të datës 23 nëntor 2018…”.Atëherë pyetje shtrohet se nëse Kuqi nuk ka qenë ndonjëherë grabitës në këtë ngjarje, pse duhet të paguante ai paratë tek personi që i ishin vjedhur në ngjarjen e datës 25 shtator 2019.

Dinamika e plotë
Dy personat e armatosur me kallashnikov kanë qëndruar brenda në makinën Benz, ndërkohë personi i tretë që mbante në dorë një pistoletë, ka zbritur nga makina duke thirrur “Policia e Shtetit”, dhe menjëherë ka filluar t’u marrë paratë udhëtarëve. Nga hetimet paraprake rezulton se rreth orës 08:30, në ambientet në sheshin e stadiumit “Flamurtari”, ka mbërritur nga Italia autobusi i pasagjerëve me targa AA 2227 KL. Pasi është parkuar në vendin e ngjarjes në sheshin e stadiumit “Flamurtari”, është afruar një automjet tip “Benz” me targa AA 523 BT, nga ku kanë zbritur 3 persona të armatosur dy prej tyre me armë automatike dhe një person me armë pistoletë. Personat kanë kërcënuar me anë të armëve Defrim Balilaj duke i marrë një shumë prej 4000 euro si dhe një shumë tjetër prej 15.350 euro të cilat i kishte të vendosur nën sedilen e shoferit dhe janë larguar në drejtim të rrugës Vlorë -Novoselë. Menjëherë janë vënë në ndjekje shërbimet policore ku është bërë e mundur bllokimi i automjetit me targa AA 523 BT në afërsi të fshatit Panaja dhe rreth orës 10.00 është bërë kapja në flagrancë e një prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje Armand Kuqi. Në vendin ku është bërë vjedhja janë kryer veprimet e nevojshme procedurale, nga te cilat ka rezultuar se furgoni tip “Mercedes” me targa AA 227 KL, rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Defrim Balilaj.

Grabitësit: Jemi “Policia e Shtetit”
Në funksion të hetimit është pyetur shtetasi Defrim Balilaj mbi ngjarjen, i cili dhe tregon se është pronar i një furgoni që bënë linjën Vlorë-Venecia Itali dhe ditën e shtunë ka nisur në drejtim të shtetit Italian dy shok të tij me këtë furgon duke qenë se ka pasur probleme familjare. Ai tregon se furgoni është kthyer në mëngjesin e datës 25 shtator 2018 dhe është drejtuar nga dy shokët e tij Ilir Meto dhe Barjam Ismaili, të cilët e kanë sjellë në zonën përpara stadiumit Flamurtari, aty ku ata kanë pikën e nisjes dhe mbërritjes së tyre. Aty kanë ndaluar dhe kanë filluar të zbresin pasagjerët e në momentin që po bënin këtë punë u janë afruar tre persona me një automjet ngjyrë e errët ku njëri prej tyre me një trup të shkurtër me një pistoletë në dorë i afrohet i thotë “Policia e Shtetit” dhe i merr nga xhepi 4000 euro. Në këtë moment e shtynë dhe fillon të marrë dhe shumën tjetër të parave e cila është përllogaritur në vlerën e 19.450 euro, të cilat u përkisnin disa personave të ndryshëm në shtetin italian dhe i kishin dy personat që kanë drejtuar këtë automjet. Dëfrimi deklaron se nuk ka dyshime mbi këtë ngjarje dhe se për një nga shumat është njoftuar në telefon vetëm për 4000 euro të dërguara nga një shtetas i cili quhet Pëllumb. Ai deklaron se në vjedhje ishin dhe dy persona të tjerë të cilët kanë qëndruar në automjetin e tyre me kallashnikov në dorë njëri përpara dhe tjetri pas makinës. Po kështu është pyetur Barjam Ismaili i cili deklaron se punon si shofer me Defrimin. Tregon se ka bërë dy rrugë në drejtim të Italisë me të së bashku me një shofer tjetër Ilir Meto. Ai tregon se ka ardhur në Shqipëri dhe këtu Iliri është takuar me Defrimin të cilit i ka dhënë një shumë parash për të cilat ai nuk ka dijeni pasi vetë Iliri i ka marrë dhe i transportuar ato. Është pyetur Ilir Meto i cili tregon se punon për Dëfrim Balili dhe prej Italisë ka marrë shuma parash për të transportuar në Shqipëri por pa e ditur me saktësi sa.

“Katër mijë euro mi dërgoi dhëndri”
Në lidhje me autorët e ngjarjes dhe dinamikën e saj ata të dy e tregojnë në të njëjtën mënyrë si dhe Dëfrimi. Për këtë ngjarje është pyetur Selim Gjomema, i cili tregon se dhëndri i tij Pellumb Thanasi i kishte dërguar një shumë euro dhe se kur ka shkuar në vendin ku do të merrte porosinë nga Defrimi janë vjedhur nga këta persona. Gjatë hetimeve paraprake të çështjes janë kryer një sërë veprimesh hetimore si këqyrja e vendit të  ngjarjes, është mbajtur procesverbal për sekuestrimin e provave në vendngjarje, është bërë këqyrja dhe sekuestrimi i automjeteve të përfshira në ngjarje, si dhe janë pyetur disa shtetas rreth dijenisë së tyre për rrethanat e çështjes.

Makina u braktis në zonën e Panajasë
Kështu në vijim të veprimeve janë gjetur në fshatin Panaja në një kodër poshtë pemëve të ullinjve në një distancë 5 metër në pjerrtësinë e kodrës një kapuç me ngjyrë të zeze me dy vrima në mesin e saj, një palë dorashka me ngjyrë të bardhë të kthyera nga ana e brendshme të cilat janë marrë në cilësinë e provës materiale. Nga kontrolli i territorit në drejtim të vendit ku u larguan autorët u konstatua në fshatin Panaja një automjet Audi me targa AA625IR i cili ndodhet i parkuar në anën lindore të rrugës Vlorë-Panaja e konkretisht në parkingun e lokalit. Nga verifikimi i këtij mjeti i cili ishte i hapur rezulton se në kroskotin e makinës janë gjetur dokumentacioni i mjetit me targa AA 625 IR, një kupon tatimor, katër mbajtëse kartash telefoni dhe një mobile. Dy karta karburanti dhe një kartë shëndeti në gjuhë të huaj të cilat sekuestrohen në cilësinë e provës materiale. Nga këqyrja e automjetit “Mercedez Benc” me targa AA523BT, u gjetën në cilësinë e provës materiale dy armë automatike, model 56 me numra 01444 -83 dhe arma tjetër e ka të fshirë numrin por në pjesën e gypit të gazrave 4299, si dhe në bagazhin e mjetit u gjet një mëngë bluze me ngjyrë të zezë me dy vrima. Nga tërësia e akteve dhe veprimeve të para hetimore të kryera për këtë procedim krijohet një bazë të dhënash dhe dyshimesh të mbështetura në prova që shtetasi i arrestuar Armand Kuqi në bashkëpunim me persona të tjerë kanë vjedhë nën kërcënimin e armëve autobusin e pasagjereve në pronësi të Dëfrim Balilaj.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunëve në Kosovë

Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunëve në Kosovë