Grabitja e supermarketit në Lezhë, pamjet e së cilës Report TV i publikoi ekskluzivisht nuk është e vetmja për 4 autorët. Report Tv mëson se ata dyshohen edhe për grabitjen e djeshme të një ‘Exchange’ në Fushë-Krujë dhe të postës së Rrëshenit. Posta e Rrëshenit është grabitur në datë 14 shkurt, ndërsa ngjarja ende nuk është zbardhur dhe dyshimet bien mbi këtë grup.

Report Tv siguroi videon ekskluzive të grabitjes së supermarketit në Lezhë në orët e para të mëngjesit të djeshëm.  Gjithçka ndodhi në pesë minuta. Në pamje duken grabitësit të maskuar, ndërsa njëri prej tyre mbante armë zjarri kallashnikov në dorë.

Pamjet u fiksuan nga kamerat e sigurisë së biznesit, por autorët janë kujdesur që të maskohen, duke mbuluar fytyrën. Grabitësit arritën të marrin kasafortën e biznesit të cilën e ngarkuan në një automjet dhe u larguan me shpejtësi.

Brenda në kasafortë nga të dhënat e fundit raportohet se kanë qenë rreth 100 mijë lekë. Autorët u larguan me një makinë tip ‘Benz’, policia shoqëroi disa persona, por pas marrjes në pyetje i ka lënë të lirë, pasi nuk rezultojnë të implikuar. Katër autorët mbeten të paidentifikuar, ndërsa policia vijon hetimet për të rënë në gjurmët e tyre. 

d.b/shqiptarja.com