Një grabitje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme (16 qershor) në një postë private në Tiranë. Burime për Report Tv bëjnë të ditur se dy persona ende të paidentifikuar rreth orës 22:00 kanë hyrë brenda ambienteve të postës dhe nën kërcënimin e armës kanë marrë një sasi lekësh që ishin mbi banak.

Nuk dihet ende sasia e lekëve të marrë në postë, por mësohet se pas grabitjes autorët janë larguar me një motoçikletë. Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe pasi kanë rrethuar zonën me shiritin e sigurisë janë vënë në ndjekje të autorëve.

Gazetari i Report TV, Merin Maçi raporton se kanë qenë punonjësit e postës që kanë njoftuar policinë, e cila pasi ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë, që kanë fiksuar grabitjen.

Fakti që autorët kanë vepruar në orët e vona të natës, tregon që ata e kanë studiuar mirë zonën dhe kanë pritur që posta të mos ketë shumë punëtorë.

Blutë e kryeqytetit kanë ngritur pika të shumta kontrolli në disa akse kryesore për të bërë të mundur arrestimin e autorëve.

Në vendin e ngjarjes shkoi edhe Zëvendësdrejtori i Policisë për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu.

Njoftimi i policisë së Tiranës
Në datë 16.06.2020, rreth orës 21:50, prane sheshit "Shqiponja", në një zyrë postare private, dyshohet se dy persona ende të paidentifikuar, nën kërcënimin e armës kanë vjedhur një sasi lekësh dhe janë larguar me një mjet motoçikletë.

Në të gjitha hyrje-daljet e Tiranës, janë ngritur pika kontrolli. Policia ka shpërndarë në këto pika, identikitet e autorëve.

Forcat e Policisë po krehin zonën dhe vijojnë kontrollet edhe në parkingje e ambiente të ndryshme.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, me qëllim  identifikimin e autorëve.

Policia e Shtetit fton çdo qytetar që mund të ketë të dhena mbi autorët, të telefonojnë falas në 112, duke u garantuar anonimatin.