Një grabitje e armatosur ka ndodhur në një supermarket në hyrje të qytetit të Kavajës rreth orës 18:40 të mbrëmjes së sotme (29 shkurt). 

Gazetari i Report Tv, Artur Korriku raportoi se një person i maskuar dhe i armatosur me kallashnikov ka kërcënuar punonjëset e supermarketit dhe ka arritur të marrë një shumë të konsiderueshme parash.

Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Autori dyshohet se është larguar në drejtim të fshatit Qerret.

Forcat e policisë së Durrësit dhe të Kavajës kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për kapjen e autorit i cili dyshohet të jetë strehuar brenda fshatit.