TIRANË - Është arrestuar autori i grabitjes të ndodhur dy ditë më parë në kryeqytet në një pikë kredidhëniesh, Devis Kuqo, 28 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas policisë ai ka vjedhur një shumë prej 60000 lekësh të rinj dhe dy aparate celular. Atij i janë sekuestruar biçikleta me të cilën u largua nga vendi i ngjarjes si dhe 45000 lekë të rinj.

Policia ka publikuar edhe momentin e grabitjes nga i riu filmuar nga kamerat e sigurisë. Siç duke në pamjet filmike, ai e ka studiuar pikën e kredive që grabiti edhe gjatë ditës. Ai disa herë shihet që vjen edhe gjatë ditës me biçikletën e tij të kuqe para derës së filialit të kësaj pike kredish, ndërkohë që grabitjen e finalizon në darkë.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta bën me dije se Devis Kuqo është dizenjator në profesion dhe pikërisht për këtë policia ka koduar operacionin 'Designer'. Ka qenë pikërisht njëri nga celularët e vjedhur që i riu të lokalizohet dhe më pas të kapet nga policia.

Në video shihet se rreth orës 18:30, i riu ka shkuar në rrugën “Medar Shtylla”, në filialin e institucionit financiar dhe me anë të ushtrimit të dhunës me një shkop metalik që e mbante në dorë dhe i maskuar me kapuçin e xhupit, i ka vjedhur punonjësve shumën prej 60000 lekësh të rinj si dhe dy aparate celular.