Grabitja e Bankës në ish-bllok
arrestohen drejtori e shefi i sigurisë

Një ditë pas grabitjes spektakolare të një filiali të një banke të nivelit të dytë në zonën e ish-bllokut në Tiranë, policia ka vënë në pranga 2 persona.
 
Të arrestuarit janë drejtori i degës së filialit të Bankës së grabitur, Luigj Gjonaj si dhe shefi i sigurisë Florjan Skarra.  

Sipas policisë, të arrestuarit kanë neglizhuar detyrën në momentin e rënies së alarmit, pas futjes së grabitësve në dhomën e kasafortës.
 
Burime pranë policisë bëjnë të ditur gjithashtu se dy të arrestuarit dyshohet se kanë bashkëpunuar me grabitësit. 

Mësohet se përpara grupit të hetuesve, punonjësit e bankës janë shprehur se në momentin e rënies së alarmit ata kanë mbërritur në filialin e bankës, në zonën e ish-bllokut. Sipas dëshmive, ata kanë hyrë brenda bankës dhe kanë konstatuar se nuk kishte vjedhje e janë larguar. Mirëpo grabitja ndodhi në dhomën e kasafortës, e cila nuk është hapur nga dy punonjësit e bankës. 

Pas këtij momenti, është tërhequr dhe policia e cila ishte njoftuar në momentin e rënies së alarmit.
 
Ndërsa grabitja është evidentuar vetëm mëngjesin e të hënës, kur punonjësit e bankës kanë hapur kasafortën. Grabitësit, të cilët u futën në brendësi të bankës, konkretisht në dhomën e kasafortës pasi çanë murin nga një lokal aty ngjitur, grabitën shumën e rreth 21 milionë lekëve të reja.

Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve, por dyshohet se kamerat e sigurisë kanë filmuar fytyrën e njërit prej grabitësve. Vijon puna e grupit hetimor për identifikimin e tij. 

Njoftimi i Policisë së Tiranës 
Specialistet e Seksionit për hetimin e krimeve ndaj pronës arrestuan në flagrancë shtetasit: 

• Luigj  Gjonaj, 50 vjeç, banues në Tiranë, me me detyrë drejtor i filialit të BK.

• Florjan Skarra,36 vjeç, banues në Tiranë me detyrë shef i sigurisë së filialit të BKT, (nenet 248 dhe 25 të K.P).

 Arrestimi i shtetasve Luigj Gjonaj dhe Florjan Skarra, u bë për arsye se me veprimet dhe mos veprimet  e tyre pavarësisht marrjes së sinjalit për vjedhje në bankë kanë neglizhuar kryerjen e veprimeve dhe marrjen e masave duke sjellë si pasojë vjedhjen e një shume të konsiderueshme të vlerave monetare që ndodheshin në kasaforten e kësaj banke. Nenet 136/2, 248 dhe 25 të K.P. 

Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe po  punohet për identifikimin e kapjen e autorit (neni 136/2 i K.P),  të vjedhjes së ndodhur  në orën 08:15, në kryqëzimin e rrugës ‘‘Vaso Pasha“, me rrugën ‘‘Ismail Qemali“, ku  persona të paidentifikuar duke hapur dy vrima në murin rrethues të bankës BKT dhe të murit të dhomës kasafortë  kanë hyrë në kasafortën e bankës dhe kanë vjedhur një sasi lekësh ende të papërcaktuar. 


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion