TIRANË - Ka rënë në pranga roja i bankës së nivelit të dytë që u grabit ditën e djeshme pranë stadiumit ‘Selman Stërmasi’, nga një person ende i paidentifikuar. Roja akuzohet  se nuk ka vepruar në momentet e grabitjes për të neutralizuar autorin.

Nga ana tjetër, dyshohet që arma që mbante në dorë autori i grabitjes, të ketë qenë lodër. Kjo në bazë të dëshmive të marra, por dhe për faktin se detektori i bankës nuk ka sinjalizuar asgjë.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në një bankë në rrugën “Sulejman Delvina”, arrestuan në flagrancë shtetasin F. Ç., 60 vjeç, punonjës i një shoqërie private të sigurisë fizike, i ngarkuar për ruajtjen e bankës.

Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi F. Ç. është larguar përkohësisht gjatë orarit të shërbimit dhe nuk ka marrë masat e nevojshme për sigurimin e ambienteve të brendshme të bankës. 

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet intensive për dokumentimin e plotë të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Grabitësi, i maskuar dhe nën kërcënimin e një arme, i mori paratë nga duart një klienteje që sapo i depozitonte. Sapo kishte nxjerrë çantën me para që do t’i depozitonte te arka e bankës, autori është afruar dhe ia ka marrë nga dora dhe më pas është larguar, pa ia dhënë akoma punonjëses së arkës. Nga dëshmia e saj në polici ka deklaruar se ka pasur me vete 10 mijë paund që do t’i depozitonte.

Ende nuk është e qartë shuma e grabitur ndërsa raportohet se autori është larguar nga vendi i ngjarjes me skuter ndërsa në kokë ka pasur një skafandër motori. Autori ka mbërritur pranë bankës me një skuter nga drejtimi i kryqëzimit të Komunës së Parisit. Pasi e ka lënë mjetin jashtë, ai ka hyrë menjëherë në ambientet e bankës. Pas marrjes së shumës së parave, është larguar nëpërmjet rrugës “Sulejman Delvina”, ndërsa dyshohet se më pas ka braktisur skuterin në një garazh.