Në Gjirokastër së shpejti do nisë gjyqi për grabitjen e banesës së prindërve të Elton Çiços. Ervis Imeri është personi i akuzuar si organizatori i akuzuar për vjedhje me armë në bashkëpunim Prokuroria e Gjirokastrës ka dërguar për gjykim para pak kohësh dosjen penale ndaj tij.

Ngjarja sipas Policisë dhe Prokurorisë, u bë shkak për një serial të përgjakshëm atentatesh e vrasjes në Gjirokastër, Tiranë dhe në Durrës, pasi Elton Çiça (tashmë i vrarë) tentoi të hakmerrej ndaj të dyshuarve për grabitjen në banesën e prindërve të tij. Ajo ndodhi në datë 30 mars 2015, në qytetin e Tepelenës kur disa persona të maskuar hynë në banesën e prindërve Elton Çiçit dhe pasi ushtruan dhunë ndaj tyre, vodhën dhe 5000 euro.

Prokuroria e Gjirokastrës ka arritur në përfundimin se vjedhja është realizuar nga një autor i njohur, Robert Rama, si edhe nga dy persona të tjerë, për të cilët po punohet ende për t’i identifikuar. Robert Rama nga Laçi mbeti i vdekur pak kohë pas vjedhjes, në një atentat që u krye ndaj tij në Durrës.

Hetimet tregojnë se ishte Ervis Imeri, i cili mori Ramën nga qyteti i Tiranës për në Tepelenë me qëllim që ky i fundit të studionte nga afër banesën ku do të kryhej vjedhja. Imeri ishte në dijeni të shumës së parave, madje kishte përfituar edhe borxh nga Elton Çiça. Imeri, siç sqarohet edhe nga deklarimi i të dëmtuarës Antoleta Çiça, u ka dhënë autorëve edhe një kopje të çelësave të tri kateve të banesës, dyert e të cilave janë hapur me këta çelësa.

Ervisi është pikërisht personi që i ka montuar dyert dhe dritaret e të tria kateve të banesës së prindërve të Elton Çiços, ku më pas ndodhi edhe grabitja. Pas kësaj grabitjeje, një muaj më pas vritet në Durrës Robert Rama.
 
Kurse në dhjetor të po këtij viti hidhet në erë makina e vëllait të Ervis Imerit, i cili u gjymtua rëndë. Në vazhdim, më 1 maj 2016, në mjediset e bar “De Niro”, ka ndodhur vrasja e Elton Çiços.