GJIROKASTER - Ndalohet roja i firmës private në Muzeun e Armëve në kalanë e Gjirokastrës, i cili ra pre e grabitjes ditën e kremtimit të Pashkës.

Policia vuri në pranga rojen N. Zhuli, që ishte në detyrë kur u krye vjedhja e disa armëve të cilat i përkisnin periudhës Mesjetare. Ai është vënë nën akuzë për shpërdorim detyre, ndërsa policia nisi procedimin në gjendje të lirë për pronarin e firmës private, me inicialet S.K, pasi i ka skaduar licenca për firmën private “Taulanti” prej 12 marsit të këtij viti.

Uniformat blu të qytetit të Gjirokastrës, bënë me dije se janë shoqëruar edhe 5 persona të cilët do të merren në pyetje për vjedhjen e Muzeut të Armëve.

Muzeu i ri i Armëve në qytetin e gurtë të Gjirokastrës ra pre e grabitësve nga persona të paidentifikuar të cilët duke përfituar nga përqendrimi i policisë për mbarëvajtjen e rendit gjatë kremtimit të natës së Pashkëve, hynë në ambientet e muzeut dhe kryen grabitjen.
 
Sipas policisë hajdutët mundën të marrin katër pushkë, katër pistoleta dhe tre shpata të periudhës Mesjetare.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)