Si në filma aksionm një grup grabitësish të maskuar bllokuan autostradën që lidh Leccen me Brindisin në Itali dhe hodhën në erë një mjet të blinduar që transportonte para.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së hënës në autostradën 613. Grabitësit ndaluan qarkullimin duke përdorur makina të kamufluara si automjete policie, me drita sinjalizuese të rreme. Ata vetë ishin veshur si agjentë sigurie të dërgesës me para.

Pamje nga vendngjarja
Pamjet që po shikoni në videon e publikuar nga mediat italiane tregojnë momentin kur mjeti i blinduar ndalet në mes të rrugës. Automjeti i përkiste kompanisë së sigurisë Battistolli. Pas ndalimit, autorët e armatosur hapën blindin me eksplozivë dhe më pas u larguan me shpejtësi.
Policia nisi menjëherë një operacion të gjerë kërkimi në zonë. Pak më vonë, një Alfa Romeo e përdorur gjatë grabitjes u gjet e braktisur në një rrugë rurale.
Pranë saj u arrestua një burrë i veshur me kapuç, i paarmatosur. Një person i dytë, gjithashtu me kapuç, u arrestua më pas teksa tentonte të largohej në këmbë. Në afërsi u gjet edhe një makinë tip xhip, që dyshohet se ishte planifikuar për arratisjen e grabitësve.
Furgoni transportues
Autoritetet dyshojnë se grupi kriminal mund të ketë qenë më i madh se katër persona. Kërkimet për të paktën dy grabitës të tjerë vijojnë.
Policia italiane bëri me dije se hetimet po vazhdojnë për të identifikuar të gjithë autorët e përfshirë dhe për të zbardhur plotësisht dinamikën e grabitjes.
Komente








