Itali - Një operacion i planifikuar deri në detajet më të vogla. Një grup organizuar prej të paktën 10 personash, pak pas orës 6:00 të mëngjesit të së hënës, kryen një grabitje spektakolare në provincën e Reggio Calabria-s, pranë Scillas.

Banda bllokoi një furgon të blinduar që i përkiste kompanisë Sicurtransport, duke qëlluar disa herë me kallashnikovë dhe pushkë. Për të bllokuar trafikun dhe për të ndaluar çdo ndihmë të mundshme, autorët e krimit vendosën dy makina që më pas i dogjën dhe shpërndanë edhe gozhdë në asfalt, duke shkaktuar një bllokim total të qarkullimit.

Operacioni zgjati vetëm disa minuta dhe nuk pati të lënduar. Sipas vlerësimeve paraprake, sasia e parave të grabitura arrin rreth dy milionë euro.

Në dhjetor të vitit 1997, një grup banditësh kreu një grabitje prej një milion dollarësh në të njëjtin vend. Një furgon i blinduar që i përkiste kompanisë San Nicola ishte nisur nga Zyra Postare Qendrore e Reggio Calabria-s, me destinacion zyrat periferike të provincës. Paratë u përdorën për të paguar pensionet dhe shpërblimet e Krishtlindjeve.

Paratë e vjedhura sot kishin të njëjtin qëllim. Hetuesit nuk kanë dyshime. Kjo është një bandë e specializuar që dyshohet se ka kryer grabitje të tjera në pjesë të tjera të Italisë, veçanërisht në zonën e Foggia-s.

Teknika është gjithmonë e njëjtë. Makinat digjen për të ndaluar furgonin e blinduar, armë të sofistikuara përdoren për të bllokuar qarkullimin dhe shpërthimet përdoren për të hapur dyert e blinduar.

Ndër hipotezat e hetuesve, ideja se mund të ketë pasur një udhëheqës po fiton terren dhe se veprimet e banditëve u autorizuan nga anëtarët e Ndrangheta-s së Reggio Calabria-s. Asnjë veprim nuk është i mundur në këtë zonë pa autorizimet e nevojshme nga udhëheqësit e klanit./Corriere della Sera