Dy gjeneralët Nazmi Cahani dhe Albert Mullai janë graduar ditën e sotme respektivisht në gradat gjeneralmajor dhe gjeneral brigade. Cahani ka një përvojë ushtarake 32–vjeçare dhe aktualisht mban postin e komandantit të Forcës Tokësore ndërsa Albert Mullai ka një eksperiencë 30- vjeçare si komandant i Akademisë së Nënoficerëve.
Gjatë emërimit të gjeneralëve ministrja e mbrojtjes, Olta Xhaçka ka evidentuar arritjet e gjeneralëve ndër vite.
“Nën drejtimin e gjeneral Cahanit, Forca tokësore ka arritur rezultate të rëndësishme, ndër të cilët do veçoja punën e palodhur dhe certifikimin me sukses të Grup Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë si dhe angazhimet në Emergjencat Civile. Po kështu, edhe Akademia e Nënoficerëve, nën drejtimin e gjeneral Mullallit është transformuar në një institucion efikas për formimin e korpusit të nënoficerëve, kaq të rëndësishëm për misionin e FA,” - u shpreh Xhaçka.
Gjithashtu, Ministrja Xhaçka theksoi se krijimi i shanseve të barabarta dhe meritokracia në ecurinë në karrierë të personelit të FA do të jetë një nga prioritetet e panegocueshme.