Prej vitesh tashmë Shqipëria po vuan së tepërmi lëvizjen demografike të banorëve nga fshatrat drejt zonave urbane duke sjellë një shpopullim në masë të fshatrave. Kryesisht ky proces po ndodh në fshatrat malorë. Fshati Gjerë, i Njësisë Administrative Poroçan, Bashkia Gramsh prej dy ditësh tashmë po ''gëzon'' rikthimin e banorëve vendas, të cilët kanë organizuar një takim në vendin e lindjes.
Në këtë fshat tashmë jetojnë aktualisht vetëm disa dhjetëra banorë. Disa qindra, ish-banorë të këtij fshati, të cilët jetojnë të larguar brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, të ndihmuar nga rrjetet sociale kanë organizuar një takim duke përfituar edhe nga muaji gusht ku thuajse të gjithë emigrantët rikthehen në Shqipëri për pushime.
Organizatorët e këtij viti ishin anëtarët e një prej fiseve, fisi Kullolli, që morën përsipër organizimin e aktivitetit. Ky takim do rikthehet në traditë dhe sipas organizatorëve do të bëhet çdo vit. Të gjithë banorët e bënë këtë premtim.
Në këtë aktivitet mori pjesë dhe Kryetari i Bashkisë Gramsh, Klodian Taçe, i cili bëri thirrje që jo vetëm fshati Gjerë por të gjitha fshatrat e tjerë të ndjekin të njëjtin shembull duke qenë se të larguarit e Gramshit arrijnë në mijëra banorë gjatë këtyre 30- viteve të fundit. Rikthimi i tyre në vendlindje do të thotë në radhë të parë dëshira për t’i trashëguar brezave dashurinë për vendlindjen dhe në radhë të dytë mbajmë gjallë traditat dhe zakonet te pasardhësit tanë të vegjël. Nëse do jemi të gjithë bashkë do kemi mundësi të bëjmë më shumë për njëri-tjetrin.
''Festa e Gjerës'' mbledh së bashku shumë banorë që jetojnë e punojnë jashtë, si dhe nga qytetet përreth. Festa u hap me himnin e flamurit shqiptar e luajtur me violinë nga një vogëlushe për të cilën ishte hera e parë që vizitonte vendlindjen e prindërve. Në festë përveç këngëve dhe valleve orkestrale, pati performanca të ndryshme me këngë iso-polifonie tradicionale të zonës. Risi dhe surprizë për banorët ishte dhe një libër i shkruar nga Autori Shyqyri Kullolli dedikuar fshatit të cilin autori e shpërndau falas për disa nga të pranishmit. Organizatorët për vitin që vjen premtojnë një organizim më të mirë të festës duke sjellë më shumë performanca tradicionale të zonës dhe një numër më të madhë të pjesëmarrësve.
Shume bukur festa dhe kshu i pafshim gjithe fshatrat e shiperise
Përgjigju