Gramsh- Vjedhja e dyshuar e sendeve personale të një personi të arrestuar, ka çuar drejt akuzës një Nënkomisar të Policisë së Gramshit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) njoftoi se ka ekzekutuar sot (17 Janar) vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë, Nënkomisar G. C., 31 vjeç, me detyrë specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Gramsh.
Efektivi është i dyshuar për veprën penale “vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.
"Nga hetimet e kryera nga AMP janë grumbulluar fakte dhe prova që krijojnë dyshimin se ky punonjës policie, duke shpërdoruar detyrën, ka vjedhur sendet personale të një shtetasi të ndaluar/arrestuar", thuhet në njoftimin zyrtar.
Në fund AMP i bën thirrje të gjithë qytetarëve që t'i denoncojnë rastet abuzive të efektivëve.
"AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected]", përfundon njoftimi i institucionit mbikëqyrës ndaj policisë.