GRAMSH- Një urë e amortizuar në fshatin Porocan të Gramshit mund të kishte shkaktuar sot një tragjedi te dyfishtë duke u marrë jetën dy motrave të mitura të këtij fshati.
Fjoralda dhe Leata Paja përkatësisht 14 dhe 11 vjec ndërsa ecnin mbi urën pasarelë tërësisht të amortizuar me dërrasa të kalbura kanë rënë në Lumin Holta.

Dëshmitarët në vendgjarje thanë se dy motrat ranë në ujërat e lumit pas thyerjes së dërrasave të pasarelës së vjetër.
Dy motrat ishin të detyruara të ecnin mbi këtë urë të prishur përditë pasi shkonin në shkollë.
Ura lidh brigjet e fshatit Porocan me ato të Lagjes Pajallarë Gjerë.
Tmeri i tyre në ujërat e lumit ka zgjatur pak minuta pasi kalimtarë të rastit, banorë të fshatit janë hedhur në lumë dhe kanë shpëtuar jetën e dy motrave.

Mësohet se njëra nga motrat 11 vjeçarja Leata Paja ka pësuar dëmtime më serioze në trup, ndërsa motra e saj më e rritur ka patur dëmtime më të lehta.
Nënkryetari i komunës së Porocanit Maliq Buzani tha për shqiptarja.com se kjo urë është një rrezik i hapur për jetën e gjithsecilit që ecën mbi të.

Cdo ditë dhjetëra nxënës ecin mbi dërrasat e kalbura të pasarelës së vjetër dhe askush nuk i vë veshin një kërkesë e hershme e banorëve që nuk duan gjë tjetër: “Një urë më të sigurt për fshatin e tyre”. (aq/ns/shqiptarja.com)