Gratë deputete: Ja dy nismat ligjore
 për të luftuar dhunën ndaj grave

Gratë deputete: Ja dy nismat ligjore<br /> për të luftuar dhunën ndaj grave
TIRANE - Mbledhja e parë për këtë vit e Aleancës së Grave Deputete pati në qendër të saj pikërisht gruan, dhe intensifikimin që i duhet bërë luftës kundër dhunës në familje. 

Një draft ku propozohen dy ndryshime ligjore për të luftuar dhunën ndaj grave i është dorëzuar kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, dhe konkretisht, kërkohet marrja e përgjegjësive ligjore ndaj mediave online që lejojnë komentet fyese ndaj grave. Së dyti, është propozuar që burrat të cilët kalojnë në Apel kërkesën për pagesën ndaj fëmijës në rast divorci, të paguajnë tarifën që i është caktuar edhe gjatë kohës që janë në pritje të vendimit.
 
Deputetet e majta dhe të djathta në këtë Aleancë të kryesuar nga demokratja Mesila Doda thanë njëzëri se duhet rritur sensibilizimi për të shmangur dhunën ndaj gruas e fëmijëve të kthyer tashmë në fenomen në vendin tonë. Sipas deputetes të Partisë Demokratike Majlinda Bregu pjesë e edukimit duhet të bëhen djemtë dhe burrat. 

Bregu : “Duhen ashpërsuar masat penale për dhunuesit e grave”
Sipas deputetes demokrate Majlinda Bregu deri më tani personat që kanë dhunuar gratë nuk janë gjykuar ashtu siç duhet, ndaj thotë, Bregu duhen ashpërsuar ndëshkimet ndaj tyre.
 
“Nuk kemi qenë shumë të egër në luftën e dhunës në familje. S’ka hallka të bashkërenduara me njëra-tjetrën. Nëse dhuna është terrorizëm i përditshëm, reagimi institucional ka pazare për jetën e grave dhe fëmijëve. S’besoj se këta burrat politikanë janë më të mençur se Biden, që SHBA e ka konsideruar prioritet luftën e dhunës ndaj grave. Duhet reagim i menjëhershëm për këtë rast ose do kemi politikanë që bëjnë aktrim me duar në xhepa. Sot na duhet në mënyrë urgjente të përcaktojmë se fushatat janë bërë fushata që dhuna është e papërballueshme. Masat që duhet të merren për këtë rast janë të shumta, por në mënyrë të menjëhershme duhet që: Të edukojmë djemtë dhe burrat që një grua nuk duhet dhunuar, na duhen evidenca sepse nuk dimë dhe nuk kemi të dhëna të sakta për dhunën, nuk dimë ku është zona më e saktë, nuk dimë kush janë prokurorët që trajtojnë këto raste dhune, sa raste janë denoncuar, s’dimë sa janë në polici, s’dimë sa fëmijë jetojnë në terrorin e dhunës. Po ashtu nuk dimë as se si funksionon sistemi në njësitë bashkiake”, u shpreh deputetja.
 
Bregu ka tërhequr vëmendjen edhe të shoqërisë civile dhe medias, të cilat ndikojë në parandalimin e rasteve të dhunës ndaj grave. 

Ndryshimet e propozuara në projektligj: Të fshihen komentet fyese në mediat online
Bregu tha se Kryetari i Kuvendit ka tashmë gati dy propozime për ndryshime në nismat ligjore kundër dhunës ndaj grave. “I kam çuar kërkesën Metës për ndryshime në dy nisma ligjore. Shqetësimi i vazhdueshëm që çdo grua e vajzë ka mbi raportimet e komentet që bëhen mbi faqet e mediave online. Cënim i imazhit, komentet fyese e denigruese do të përfshihen në ndryshimet në Kodin Civil, për përgjegjësinë e publikimit online për komentet, pra do të mbajnë përgjegjësi penale ata që lejojnë publikimin e komenteve denigruese për gratë. Ndryshimi i dytë ka të bëjë me dhënien e vendimeve për ekzekutim të përkohshëm për rastet e divorcit. Në rast se një burrë apelon vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë me pretendimin se nuk do që të paguajë detyrimet ndaj fëmijës, deri në daljen e vendimit të apelit, babai i fëmijës është i detyruar që të paguajë shpenzimet e përmuajshme të fëmijës. Ky ndryshim është propozuar pasi nuk mundet që një fëmijë të presë të marrë mbështetjen financiare deri sa të dalë vendimi i Apelit”, tha Bregu.

Vasilika Hysi: Reforma në drejtësi duhet të përfshijë edhe dhunën ndaj grave
Sipas deputetes Vasilika Hysi është e nevojshme që organizata dhe ekspertë që kanë rekomandime të bëhen pjesë e ndryshimeve ligjore.
 
“Reforma në drejtësi duhet që të përfshijë edhe dhunën ndaj grave dhe fëmijëve për ta bërë këtë një komponent të reformës që po hartohet. Gratë parlamentare kanë përgatitur një draft kundër dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në të cilin paraqitet plani i veprimit dhe afatet e zbatimit të tij. Po ashtu Hysi ka propozuar edhe që të hapet një opsion i posaçëm në faqen në internet të Kuvendit për të bërë aksione të përbashkëta”, - theksoi Hysi. 

Olta Xhaçka: Dhuna është fenomen i hershëm, duhen ndryshuar kurrikulat në shkolla
Deputetja e PS Olta Xhaçka ka ritheksuar faktin se s’ka studime të mirëfillta sasiore për të pasur një panoramim të saktë të efektit që dhuna ka në shoqërinë tonë. “S’mendoj se është fenomen i ri, pavarësisht rasteve të shpeshta të ditëve të fundit. S’jam as e mendimit që duhen penalitete më të ashpra që të zgjidhim problemin. Ajo që duhet të bëjmë është që të marrim masa për të ndryshuar kurrikulat në shkollë”, - tha Xhaçka. 

Dade-Doda: Dhuna ndaj grave nuk duhet të kthehet në çështje politike
Arta Dade dhe Mesila Doda kanë replikuar me njëra tjetrën sa i takon nismave që janë ndërmarrë deri më tani për rastet e dhunës ndaj grave. Sipas Dades Aleanca nuk mblidhet për të mohuar çdo gjë që është bërë. “Ne do themi që kemi bërë shumë gjëra, Doda dhe Bregu do thonë s’keni bërë asgjë”, -tha Dade. Ndërkohë Doda është kundërpërgjigjur duke thënë se qëllimi i fundit ishte që të politizohej kjo çështje. Sipas Dodës, deputetja Bregu ka çuar tre letra, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në Prokurori dhe në Polici por s’ka marrë asnjë përgjigje dhe kjo ishte arsyeja e shqetësimit të ngritur prej saj për mungesë të statistikave.

Redaksia Online
(F.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

EKSKLUZIVE/ 'Bëni armët gati dhe kur të them unë qëlloni në mish!' Xhaxhai i Aleks Nikës për Report TV zbulon bisedat në kasetën e dorëzuar në SPAK! Është mbretëresha e provave

EKSKLUZIVE/ 'Bëni armët gati dhe kur të them unë qëlloni në mish!' Xhaxhai i Aleks Nikës për Report TV zbulon bisedat në kasetën e dorëzuar në SPAK! Është mbretëresha e provave