TIRANE- Shtatë gra prej disa orësh qëndrojnë të hipura në tarracën e një pallati në ndërtim e sipër, ( 10 katësh) dhe kërcënojnë se do të hidhen pasi ndërtuesi i pallatit të ngritur aty ku kanë pasur shtëpitë e tyre, nuk njeh kontratat e nënshkruara disa vite më parë. Sipas këtyre kontratave ndërtuesi do të kompensonte shtëpitë e prishura në mënyrë vullnetare  me hyrje apartamenti, dyqane, apo dhe garazhe në pallatin që do të ndërtohej.

Gratë kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të zgjidhur këtë konflikt pronësie, me ndërtuesin Namik Pelivani, i cili rrezikon ti lërë në mes të rrugës.

E gjithë ngjarja, që nga ora 08:50, zhvillohet në një pallat pranë “Unazës së Re”, në Tiranë. Poshtë pallatit, ndodhen familjarë ndërsa situata po monitorohet nga forca policie.

ORA 23:00 - BATANIJE E USHQIM PER TE KALUAR NATEN
Kërkesa e 7 grave të cilat të cilat prej mëngjesit të sotëm vazhdojnë të qëndrojnë në taracën e pallatit – e nga ku kërcënojnë se do të hidhen – nuk kanë gjetur një zgjidhje. Për këtë, ato kanë vendosur të kalojnë aty të gjithë natën dhe për t’u mbrojtur nga rënia e temperaturave kanë kërkuar disa batanije dhe si ushqim për të ngrënë.

ORA 19:50 - “DO TE FLIJOHEMI PO S’NA DEGJUAN”
Vazhdon ende odiseja e 7 grave që ndodhen në taracën e një pallati shumëkatësh në zonën e Unazës së Re në Tiranë pasi kanë refuzuar ofertën e ndërtuesit të pallatit. Ato përsërisin kërkesën ndaj ministrit Bujar Nishani që të verifikojë çështjen: “Ne kërkojmë një takim me Ministrin e Drejtësisë të ngrejë një grup pune qoftë për proçesin e hetimit, qoftë për proçesin e gjykimit. Nuk largohemi pa marrë përgjigje”, tha disa nga gratë në fjalë për gazetarët.

Njëra prej tyre, që tha se quhej Melita Gjoni, deklaroi në një intervistë televizive përmes telefonit se “do të fijohemi, këtë e kemi vendosur dhe s’ka bir nëne” t’i bëjë të ndërrojnë mendje.

ORA 15:20 - BANORET REFUZOJNE OFERTEN E PRONARIT
Rreth orës 15:20 ka përfunduar edhe takimi mes banorëve të pallatit dhe pronarit të tij, Namik Pelivani. Ky i fundit ka ofruar rreth 12% të ndërtesës për banorët por mësohet se ata e kanë refuzuar ofertën e tij. Namik Pelivani ka deklaruar më parë se ka firmosur një kontratë me pronarët e ligjshëm të tokës ndërsa për banuesit që protestojnë ka thënë se ata kishin ndërtuar forcërisht banesat e tyre dhe pa lejen e pronarit të tokës.

ORA 13: 30: BANORËT TAKOJNE NDERTUESIN E KOMISARIATIN NR 6
Që në orën 13:00 një përfaqësi e banorëve po zhvillojnë një takim me ndërtuesin në ambientet e komisariatit nr 6. Pelivani thotë se një pjesë e këtyre pronarëve nuk janë pronarë të ligjshëm të truallit por të banesave që janë shembur dhe se pë dy vjet, që nga momenti i prishjes së banesave, ato janë akomoduar në apartamente të reja dhe firma ka paguar qeranë. Ndërkohë që 7 gra vazhdojnë të qëndrojnë në tarracë, dhe nuk pranojnë të largohen.

Ora 12:36 SHOQEROHET NE KOMISARIAT PELIVANI, BANORET NE 13:00 TAKIM ME PRONARIN
Prej disa orësh situata mbetet pezull. Policia e Tiranës po vazhdon negociatat për të bindur gratë të zbresin, si dhe mundësinë e negociatave mes ndërtuesit Namik Pelivani dhe banorëve. Pelivani ndodhet në ambientet e komisariatit nr 6 dhe është shprehur i gatshëm për të biseduar me banorët. Bisedimet janë caktuar për tu zhvilluar në orën 13:00. Por banorët shprehen skeptikënë lidhje me arritjen e marrëveshjeve. “Kemi frikë se mashtrohemi. 2-3 herë jemi takuar me të në komisariat, dhe sa është para policisë ai thotë po. Sa del nga policia na thotë nuk ju njoh. Ikni skam punë me ju. Ai është mashtrues, na gënjen. Nëse nuk ndërhyn shteti, ne jemi të vdekur”- thonë banorët e vendosur para pallatit. Ata shprehen gjithashtu se gratë e tyre nuk do të zbresin nga tarraca, por nëse nuk arrihet një zgjidhje do të hidhen bashkë me ta.
“Çfarë na duhet më jeta, pa punë, pa shtëpi”

Ora 12: 30 BANORET KALLZIM PENAL NDAJ PELIVANIT
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp policia deklaron se në orën 08: 30 minuta kishin marrë njoftimin për gratë në tarracë, që kanë hipur dhe kërcënojnë që do të hidhen disa shtetase rreth orës
“Menjëherë, shërbimet e policisë mbërritën në vend dhe konstatuan se shtatë shtetase kishin hipur në taracën e një pallati në ndërtim dhe kërkonin zgjidhjen e problemeve të pronësisë që kishin me pronarin e firmës ndërtuese.
Drejtuesit e Policisë, komunikuan dhe negociuan me shtatë shtetaset por edhe me të afërm të tyre që ndodhen poshtë pallatit, duke ju sugjeruar zgjidhjen e këtij problemi duke ju drejtuar organeve kompetente.
Kështu, rreth orës 11.45’ shtetaset u bindën dhe ranë dakort për të bërë kallzim penal ndaj pronarit të pallatit në ndërtim.
Aktualisht, këto shtetase janë paraqitur pranë komisariatit të Policisë Nr.6 Tiranë, ku po ju merren kallzimet përkatëse. Gjatë zhvillimit të këtij konflikti deri në zgjidhjen e tij, nuk pati asnjë të lënduar apo dëme materiale.

BUJAR NISHANI TE NA NDIHMOJE
“Kur nënshkruam kontratën pronari tha se brenda 20 muajsh pallati do të ishte gati. Kjo kohë ka kaluar dhe pallati ende nuk ka përfunduar, nuk janë bërë as ndarjet brenda dhe nuk dimë se ku janë hyrjet tona. Pronari është zhdukur dhe nuk na kontakton, as nuk vjen të na tregojë se ku i kemi hyrjet. Ne jemi përpjekur të kontaktojmë me të me telefon, por është e pamundur. I lutemi deputetit të zonës Bujar Nishani të na përgjigjet dhe të na japë ndihmë për të zgjidhur problemin. Të ndërhyjë Bujar Nishani,.. prej 3 vitesh pallati nuk ka mbaruar dhe nuk është bërë ndarja. Ku janë hyrjet tona? Ne këtu në tarracë jemi 10 gra dhe dhe jemi të vendosura të flijohemi se këto po na marrin djersën e ballit. Madje do të marrim dhe fëmijët."- tregon njëra nga gratë në tarracë, në një lidhje direkte televizive.

“Të vijë të na takojë deputeti i zonës Bujar Nishani, që është dhe ministër i Brendshëm.  Jemi në rrugë të madhe, po na bëhet mashtrim. Të kena dhënë votën, vëre dorën në zemër. Nuk duam ta bëjmë politike, e kemi jetën tonë”.- bëjnë apel familjarët e vendosur poshtë pallatit. Ata sqarojnë se prej një viti, ndërtuesi Namik Pelivani nuk pranon të kontaktojë me ta, madje sipas banorëve “Badigardët vijën e na bëjnë presion”.

PRONARI NUK NJEH KONTRATAT
Familja e Enver Lilës, është një nga 23 familjet, që në 2009, ka nënshkruar kontratë, (me akt noterial,) me ndërtuesit, Alket Koromani dhe Namik
Pelivani. Sipas këtyre marrëveshjeve është rënë dakord që me shembjen e banesës dhe dyqanit do të kompensoheshin me 2 apartamente, 2+1, një dyqan 70 metra katrorë, dhe garazh, në pallatin që do ndërtohej në tokën e tyre. Familjarët thonë se Namik Pelivani nuk e  njeh këtë marrëveshje. Më vonë Pelivani kishte mënjanuar Koromani nga ndërtimi. Në komisariatin nr 6 është shoqëruar Alket Koromani, i cili ka thënë se është shkëputur nga ndërtimi i këtij pallati. ”Jemi 23 familje që kemi bërë kontrata dhe pronari Namik Pelivani thotë nuk ju njof. Zgjidhja është vetëgjyqësi. Kërkojmë zbatimin e kontratës” – tregon një banor. Ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të bërë të mundur zgjidhjen e konfliktit mes tyre dhe pronarit të firmës e cila ka ndërtuar pallatin. Rreth orës 10:10 ne vendgjajre  mbërriti dhe kryetari i Partisë Socialistetë Tiranës Sajmir Tahiri.
(im/sg/shqiptarja.com)