Akronimi është i tillë që i pëlqen shumë vetë Donald Trump-it: GREAT do të thotë Gaza Reconstitution, Economic Acceleration and Transformation (Rindërtimi, Përshpejtimi Ekonomik dhe Transformimi i Gazës). Është i shkurtër dhe mund të shtypet lehtësisht mbi kapele të kuqe me strehë, të ngjashme me ato që Trump shpesh mban.

Pas këtij emri fshihet një dokument prej 38 faqesh — i parë nga gazeta Washington Post — ku paraqitet vizioni për zhvillimin e Gazës pas përfundimit të luftës. Ky plan rikthen idenë e hershme të Trump për “një Rivierë luksoze”, e cila do të vihej nën administrim amerikan për të paktën 10 vjet.

Sipas projektit, mbi 2 milionë banorë të Gazës do të zhvendosen “përkohësisht” në vende të tjera ose në zona të “caktuara e të sigurta” brenda vetë Gazës, deri në përfundimin e punimeve të rindërtimit. Dokumenti përdor termin “vullnetarisht”, por palestinezët e kanë cilësuar këtë si spastrime etnike, dhe shumica e botës e sheh si shkelje të ligjit ndërkombëtar. Arabëve pronarë tokash do t’u jepej një “portofol dixhital” për të ndërtuar një jetë të re diku tjetër ose për të blerë një apartament në një nga tetë “qytetet inteligjente, të menaxhuara nga inteligjenca artificiale” që parashikohet të ngrihen. Çdo palestinez që largohet nga Gaza do të marrë 5 mijë dollarë, plus ndihma për qira për 4 vite dhe ushqim për 1 vit. Sipas dokumentit, 25% e popullsisë do të largohej.

Një variant tjetër i planit, i siguruar nga Financial Times, tregon një imazh futuristik: grataciela prej xhami e çeliku, një zonë industriale në veri pranë kufirit me Izraelin, ku do të prodhohen makina elektrike dhe teknologji të reja (që mban emrin e Elon Musk). “Riviera” e imagjinuar nga Trump do të zgjatej në det me ishuj artificialë. Dokumenti thotë se frymëzimi vjen nga strategjia e Haussmann për rindërtimin e Parisit në shekullin XIX, ndaj qytetet do të kenë bulevarde të gjera. Në pjesën e banesave, është vendosur një foto që ngjan me projektin e “Bosco Verticale” në Milano.

Të mërkurën, në një takim në Shtëpinë e Bardhë, Trump diskutoi planin me këshilltarët e tij. Të pranishëm ishin edhe dhëndri Jared Kushner, i cili investon në rajon, si dhe Tony Blair, ish-kryeministër britanik dhe i dërguar i mëparshëm i Kuartetit për Lindjen e Mesme. “Kemi një plan shumë të detajuar”, tha Steve Witkoff, një nga të dërguarit e Trump. Investimi i parashikuar arrin rreth 100 miliardë dollarë, të financuar nga kompani publike dhe private. Trump mbetet i vendosur që SHBA të mos paguajë “asnjë dollar”. Instituti i Tony Blair ka sqaruar se nuk ka mbështetur kurrë idenë e zhvendosjes së banorëve.

Pjesa financiare është përpunuar nga një grup pranë Boston Consulting Group, me premtimin se fitimet do të jenë katërfish më të mëdha se investimi. Por vetë kompania ka sqaruar se projekti është bërë pa dijeninë e drejtuesve dhe se ata që morën pjesë janë shkarkuar. Tani që është zbuluar, shumë palë po përpiqen të distancohen prej tij.

Pas kësaj nisme qëndrojnë disa biznesmenë izraelitë që më parë krijuan Gaza Humanitarian Foundation, një organizatë amerikane që menaxhon katër qendra shpërndarjeje ushqimesh në Gaza. Grupi nuk kishte asnjë përvojë në këtë fushë dhe, siç kishte paralajmëruar OKB-ja, shpërndarja e ndihmave u bë kaotike: palestinezët u detyruan të ecnin kilometra të tëra për të marrë ushqim, në pika shumë të pakta. Rrugë të urisë e dëshpërimit që shpesh u kthyen në kurthe vdekjeje: pothuajse 1500 persona u vranë nga ushtria pranë magazinave të GHF-së.

Nga ana e tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka paraqitur kurrë një vizion për periudhën pas luftës, duke lënë hapësirë për idetë radikale të aleatëve kolonë, të cilët kërkojnë pushtimin e plotë, dëbimin e palestinezëve dhe rindërtimin e vendbanimeve të shkatërruara në vitin 2005. Ai është kundër që Autoriteti Palestinez të ketë rol në Gaza, pasi Hamas e mori kontrollin me forcë në vitin 2007. Ndërkohë, Egjipti me mbështetjen e vendeve të Gjirit po stërvit 10 mijë trupa që pritet të vendosen pas konfliktit, shumica prej të cilëve vijnë nga forcat e sigurisë të presidentit Abu Mazen./ Corriere della Sera