TIRANË, 27 Qershor/ATSH/.- Grupi i Shteteve kundër korrupsionit i Këshillit të Evropës (GRECO) në raportin e Raundit të Katërt të Vlerësimit për Shqipërinë, i publikuar sot nxit autoritetet shqiptare që të nxisin rritjen e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë sidomos në sistein e drejtësisë.
Raporti i GRECO, i cili trajton parandalimin e korrupsionit në radhët e anëtarëve të parlamentit, gjyqtarëve dhe prokurorëve, pranon se, ndërkohë që ekzistojnë rregullore të detajuara për antikorrupsion dhe konfliktet e interesit, kuadri ligjor ekzistues është shumë kompleks dhe stabiliteti i tij është dëmtuar nga ndryshimet e shumta dhe të shpeshta, të cilat shpesh kanë qenë subjekt interpretimi kontradiktor.
Përveç kësaj, thuhet në raport, rregullat përqëndrohen kryesisht në ndalime dhe kufizime, në dëm të informimit publik dhe transparencës, gjë që e kufizon ndikimin e tyre.
Gjyqësori shqiptar, në veçanti, vuan nga niveli i ulët i besimit të publikut dhe pozita e tij përkundrejt degëve të tjera të pushtetit mbetet e dobët. Gjyqësori nuk ka kontroll mbi zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, dhe e drejta për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve të gjykatës së shkallës së parë dhe të apelit i takon Ministrit të Drejtësisë, konstatohet në dokumentin e GRECO.
Për më tepër, vijon raporti, Konferenca Gjyqësore Kombëtare, organi kryesor vetëqeverisës gjyqësor nuk ka qenë plotësisht funksional për vite dhe kjo ka pasur një ndikim negativ në përzgjedhjen, avancimin në karrierë, trajnimin, dhe procedimin disiplinor të gjyqtarëve.
Për sa u përket anëtarëve të parlamentit transparenca dhe hapja e punës së Kuvendit është penguar nga mungesa e mundësisë për të draftuar legjislacion përpara miratimit formal të tyre. Dobësia e deputetëve për të zhbërë influencat është e dukshme, por jo objekt i rregullimit. Rëndësia e pasjes së standardeve të qarta të sjelljes profesionale nuk konsiderohet si prioritet, dhe nuk ekziston një sistem për njoftimin rast pas rasti për konfliktet e interesit. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, pavarësisht ndryshimeve të vlerësuara gjerësisht të Kushtetutës që kufizojnë imunitetin e deputetëve dhe gjykatësve, zbatimi i tyre është penguar nga mungesa e ndryshimeve përkatëse në Kodin e Procedurës Penale.
Zbatimi i dhjetë rekomandimeve drejtuar Shqipërisë do të trajtohen nga GRECO në gjysmën e parë të vitit 2016, përmes procedurave të saj të pajtueshmërisë. /a.s/./a.g/