Nga gërmimet e dy ditëve në fshatin Dragot të Tepelenës, ka shkuar në katër numri i skeleteve të ushtarëve grekë të zbuluar, të cilët kanë rënë në luftën italo-greke në vitin 1940-1941, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Por një debat ka lindur që nga dita e hënë kur u zbulua ushtari i parë mbi kombësinë e këtyre ushtarëve. Ish-ministri i Brendshëm dhe ushtarak karriere kolonel Dritan Demiraj, hodhi dyshime të forta mbi varrin e ushtarit grek të gjetur në Tepelenë, duke thënë se eshtrat i përkisnin një ushtari italian.

Sipas tij, kjo tregohet nga garda e korporalit (tetar), si dhe nga shkronjat e alfabetit latin në medaljon. Nisur nga ajo fotografi ka nisir një debat mediatik dhe akoma më i madh në rrjetet sociale mbi autenticitetin e kombësisë së këtyre eshtrave.

Në fakt nga të dhënat e para që dalin nga fotografia e një prej ushtarëve të gjetur në Dragot të Tepelenës duket se grekët këtu janë varrosur nga ushtria italiane. Në fotografi duket një pllakat metalik ku shkruhet numri i identifikimit të ushtarit,(2095 P) si dhe grada e tij (Caporale - tetar) i cili nga shkrimi në italisht thuhet se është grek (Greco, në italisht) dhe lë të kuptohet se është varrosur nga italianët, si dhe eshtrat e ushtarit tjetër.

Nga ajo që duket në fotografi objekti metalik ku shkruhen të dhënat e ushtarit nuk është një medalion i zakonshëm nga ato që mbajnë ushtarët për t’u identifikuar në rast se vriten gjatë luftës, por një objekt identifikues që është future në varr nga ushtarakët italianë që i kanë varrosur.

Hartat e ushtrisë italiane si reference për gjetjen
Mediat greke kanë bërë me dije se gërmimi në këtë zonë ka filluar sipas hartave të përpiluara nga ushtria italiane e kohës për varrezat e përkohshme ku italianët kanë varrosur ushtarët grekë. Kështu këta ushtarë grekë që kanë rënë në Dragot, por edhe shumë të tjerë në zona të tjera të luftimeve, janë varrosur nga italianët kur ata janë vrarë në zona që kanë qenë nën kontrollin e ushtrisë italiane.

Grekët: Janë 6.800 deri në 8.000 të rënë
Në fshatin Dragot të Tepelenës sipas palës greke duhet të jenë varrosur rreth 80 ushtarë. Ndërsa sipas parashikimeve të palës greke janë rreth 6.800 deri në 8.000 ushtarë grekë që kanë rënë në tokën shqiptare, të cilët ose janë varrosur në mënyrë të provizore ose nuk janë varrosur fare. Këta ushtarë janë vrarë në periudhën janar 1940-prill 1941 kur në gjithë frontin nga Tepelena e deri ën Korçë ka pasur luftime të egra me shumë të vrarë nga të dy palët.

Punimet për zhvarrosjen e eshtrave të ushtarëve grekë janë inspektuar këtë të martë edhe nga konsulli grek i Gjirokastrës, Vasileos Tolos. Ndërkohë në Dragot kanë mbërritur edhe disa media të rëndësishme greke si Alpha TV apo dhe ERT, për shkak të ndjeshmërisë që ka shkaktuar në opinionin grek gjetja e eshtrave të ushtarëve grekë.

Në zonën Tepelenë, Këlcyrë dhe Përmet janë zhvilluar luftime të ashpra mes grekëve dhe italianë dhe dyshohet se përgjatë kësaj zone ndodhen mjaft varre të ushtarakëve. Krahas Dragotit edhe në Ballaban dyshohet se janë katër varre të ushtarëve të lartë grek.

d.c./shqiptarja.com