Greqi, Ardi Stefa në tv "Skai":
A duhet ndaluar "Agimi i Artë"?

Greqi, Ardi Stefa në tv A duhet ndaluar "Agimi i Artë"?">
ATHINE -  Në emisionin e ditës së enjte në tv "SKAI",  “Ndodh tani”, është diskutuar gjerësisht edhe çështja e "Agimit të Artë", mundësia e ndalimit, përballimit dhe izolimit të organizatës naziste greke.

Në panelin e emisionit kanë marrë pjesë sociologë, gazetarë dhe politikanë grekë, të cilët kanë analizuar mendimet pro e kundër një ndalimi të mundshëm të ekzistencës së organizatës neonaziste, por edhe pasojat që do të kishte një nxjerrje e mundshme jashtë ligjit e Agimit të Artë.

Veprimtaria e Agimit të Artë, nuk shqetëson vetëm shoqërinë dhe politikën greke, por edhe analistë të huaj. Në diskutim ka ndërhyrë nëpërmjet Skype edhe analisti shqiptar, Ardi Stefa.

Në fjalën e tij analisti shqiptar është përqëndruar në faktin se “Demokracia nuk hakmerret. Edhe në rastin e Agimit të Artë, Demokracia mund të gjejë mjete e menyra që të mos vihet poshtë e nënshtrohet nga nazistët dhe hemoroidet e nazizmit, por me mjete e mënyra demokratike të izolojë e të hedhë në koshin e plehrave të historisë nazistët dhe pasuesit e tyre kriminelë.”

Analisti shqiptar konstaton dhe e shpegon fenomenin e “shpërthimit të Agimit të Artë” si pasojë e rritjes së problemeve sociale në Greqinë e krizës së rëndë ekonomike. Stefa vlerëson se kjo pasiguri dhe ky ankth në lidhje me të ardhmen që kanë qytetarët grekë, bëhet objekt shfrytëzimi nga grupet e organizatat ekstremiste, sikundër është edhe Agimi i Artë.

Stefa ka theksuar se vazhdimisht e ka shprehur publikisht shqetësimin e tij dhe ka parashikuar se situata do të ishte shpërthyese dhe e rrezikshme, ne rast se qeveria nuk do të merrte masa. Dhe fatkeqësisht parashikimet e tij u vërtetuan, me vrasjen e aktivistit të majtë përpara disa ditësh, vrasje, e cila solli në plan të par aktivitetin e jashtëligjshëm të neonazistëvce, por edhe shantazhin dhe kërcënimin që ata përbëjnë për Greqinë.

Për analistin shqiptar, problemi buron si nga kriza e thellë ekonomike e sociale, në të cilën është përfshirë Greqia, ashtu edhe nga pafuqia, pamundësia ose edhe mungesa e dëshirës nga ana qeverisë dhe e politikës.

“Në një moment kam pasur përshtypjen se politika greke e dëshironte hyrjen në parlamentin helen të neonazistëve, ndoshta edhe e nxiti me mënyrat e veta rritjen elektorale të Agimit të Artë. Ndoshta nënvlerësoi problemin. Ndoshta shpejt u pendua, por ishte e pafuqishme që ta përballonte rritjen galopante elektorale të neonazistëve. Ndoshta nuk dinte si ta përballonte situatën. Vrasja e aktivistit të majtë, ndoshta u dhe shansin që ta izolojnë përfundimisht Agimin e Artë”,- tha Stefa.

Duke folur për akuzat që i bëhen qeverisë greke në lidhje me tolerancën që tregon deri tani me veprimtarinë e Agimit të Artë, Ardi Stefa ka thënë se “Qeveria nuk mundet që me një të shtypur butoni të zgjidhë një problem të tillë, i cili i ka rrënjët thellë, në shumë shkaqe”!

“Gjithsesi, ajo që mundet dhe duhet të bëjë qeveria greke është një vendosmëri më e madhe në përballimin e këtyre çështjeve dhe të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj neonazistëve duke qenë më agresive, më e vendosur, natyrisht brenda kufijve të ligjit e demokracisë.

Deri më tani qeveria greke e nënvlerësoi problemin dhe nuk mori masa që të mos ndodhnin akte të tilla të rënda, si vrasja e aktivistit të majtë grek. Ashtu sikundër nuk mori masa që të mos ndodhnin aktet kriminale kundër emigrantëve në Greqi.

Qeveria greke tani ftohet që të ndërtojë një “kundërpeshë”, brenda harkut politik demokratik dhe t’i japë popullit perspektivë, t’u japë perspektivë, akoma edhe atyre, të cilët presin mbështetje nga ekstremistët e djathtë ”.

Analisti shqiptar konkludon se është më e mirë dhe më e drejtë që “qeveria greke t’u japë qytetarëve të saj një prespektivë pozitive kundër premtimeve demagoge të ekstremistëve të djathtë”!

Për Ardi Stefën, ka ardhur koha që duhet të kryhet hapur e pa doreza, ka keqdashje e pa rezerva një diskutim e debat i hapur mbarëshoqëror e mbarëpolitik në Greqi, si në Parmament, ashtu edhe në media për neonazizmin dhe rreziqet që i kanosen Demokracisë nga nënvlerësimi i një problemi të tillë.

“Pavarësisht se personalisht do të dëshiroja mosekzistencën politike të trajtave të tilla të rrezikshme të fashizmit e nazizmit, disvantazhi në rastin e ndalimit të një partie të ekstremit të djathtë është se askush nuk mundet të ndalojë mentalitetet dhe dëshirat, apo disponimin e personave të ndryshëm. Nuk mundet askush t’u ndalojë atyre që e vendosin veten në ideologjinë e fashizmit të kenë këto ide.

Për këtë arsye, preferoj fushata iluministe, fushata politike demokratike. Personalisht, në rast se do të isha politikan, apo qeveritar në qeverinë greke, nuk do të avancoja në ndalimin e partisë. Në vend të saj do të mundohesha që popullit e shoqërisë t’i jepja një perspektivë pozitive kundër premtimeve e demagogjisë së ekstremistëve të djathtë”.

Po ashtu Ardi Stefa ka kërkuar që qeveria të veprojë me vendosmëri kundër penetrimit të elementeve fashiste e naziste në radhët e ushtrisë, policisë dhe drejtësisë.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit