ATHINË - Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati gjatë një konference për median me homologun grek, Evangeos Venizelos, ka deklaruar se, Shqipëria ka vullnetin për të diskutuar për të gjitha çështjet që kanë ndikim të drejtpërdrejt për qytetarët tanë, që nuk kanë marrë ende zgjidhje.
 
Konferenca është zhvilluar në ditën e fundit të qëndrimit të tij në Athinë të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, ku zhvilloi edhe një takim me zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Evangelos Venizelos.
 
Gjatë fjalës së tij, ministri Bushati shprehu vullnetin e qartë të Shqipërisë për të biseduar dhe trajtuar të gjitha çështjet me ndikim të drejtpërdrejt për qytetarët tanë, që nuk kanë marrë ende zgjidhje.
 
Ndërsa nga ana e tij, ministri Venizelos theksoi se, “raportet mes dy vendeve tona janë të një rëndësie strategjike dhe se intensifikimi i tyre përbën interes të ndërsjellë”. Gjithashtu ai shprehu bindjen që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat brenda presidencës greke të BE-së.
 
Duke theksuar rëndësinë vendimtare të perspektivës evropianë të Shqipërisë dhe vlerën strategjike të partneritetit dhe bashkëpunimit me Greqinë, Bushati, vlerësoi vizionin e presidencës greke për përshpejtimin e  integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si shenjë e kontributit të vazhdueshëm të Greqisë për stabilizimin dhe ankorimin përfundimtar të rajonit në rrjedhat evropiane.
 
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati e ka falenderuar Venizelosin për inkurajimin dhe mbështetjen e tij dhe të institucionit që ai drejton në organizimin e suksesshëm të Takimit të Këshillit të Ministrave të Nismës Adriatiko Joniane, në bashkërendim dhe harmoni të dy presidencave: Presidencës greke të Bashkimit Evropian dhe Presidencës shqiptare të Nismës Adriatiko-Joniane.
 
Ministri Bushati u shpreh se “zhvillimi i këtyre veprimtarive nxori në pah, ndër të tjera, se Shqipëria dhe Greqia, së bashku me vendet e tjera dhe partnerët ndërkombëtarë ndajnë interesa dhe angazhime të përbashkëta për përparimin dhe rritjen ekonomike, si dhe forcimin e stabilitetit të rajonit”.
 
Me bindjen se fluksi i kontakteve do të vijojë me të njëjtat ritme, Ministri Bushati, u shpreh se mirëpret vizitën e afërt në Tiranë të Zotit Venizelos, gjatë turit ballkanik, të programuar në kuadër të presidencës së radhës së BE-së.  Në këtë kontekst, u vlerësua se partneriteti parësor politik dhe strategjik mes dy vendeve përfton një dimension të ri, atë evropian, duke promovuar më tej proceset integruese të Shqipërisë me familjen evropiane.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)