ATHINE-  Një vjeshtë e tmerrshme i pret miliona grekë dhe emigrantë të ligjshëm që jetojnë e punojnë në Greqi. Fundi i verës duket se nuk do të zhgënjejë vetëm ata që ishin adhurues të detit, por do të ketë surpriza të pakëndshme për të gjithë taksapaguesit në Greqi.

Kthimi nga pushimet verore të sivjetshme pritet të zgjojë ndjenja e emocione negative për mijëra grek, të cilët do të ftohen të paguajnë “haraçet” e ministrisë së Ekonomisë, të cilat do t’i gjejnë në portat e shtëpive të tyre.

Më të këqija do të jenë gjërat për pronarët e pasurive të patundshme, të cilët përveç taksave të tjera, pritet ta fusin dorën më thellë në xhep, pasi Trojka i ke shenjuar kur kërkoi të ardhurat financiare për të realizuar buxhetin e shtetit.

Fillimisht do të trokasin portën e taksapaguesve grekë, faturat e të gjithë atyre, të cilët “bënë gabimin” që të përfitonin kthimin e një pjese të parave që kanë paguar në taksa, në mënyrë që nga “kontrollet” e mëtejshme të mos ketë të drejtën të përfitojnë as edhe një euro.

Po ashtu të gjithë poseduesit e pasurive të patundshme do të shohin në portën e tyre, faturat në lidhje me taksat e shtuara që duhet të paguajnë për pronësinë, apo trashëgimitë.

Ministria greke e Ekonomisë pretendon të fusë në arkat e buxhetit të shtetit vetëm nga taksapaguesit e thjeshtë (pensionistët e rrogëtarët) rreth 300 milionë euro, ndërkohë që 2,1 miliardë euro do t’i hyjnë buxhetit të shtetit cash vetëm nga taksat që do të paguajnë pronarët e pasurive të patundshme, benesave, trojeve, etj.

Ndërkohë shumë kreditorë të thjeshtë të cilët për arsye ekonomike nuk kanë paguar këstet për kreditë e marra, kryesisht për blerjen e banesave kërcënohen me sekuestrim të pasurive të tyre, banesave, automjeteve, etj. Nën këtë kërcënim ata ftohen që të paguajnë menjëherë mbi 200 milionë euro cash, në mënyrë që të shpëtojnë pasurinë e tyre.

Po ashtu përllogaritet që taksat për vitin 2013, sikundër edhe për vitin 2012 të jenë jashtëzakonisht të larta, duke bërë që të “avullojnë” vetëm për pagimin e taksave rreth 2,5 paga mujore në vit.

(Redaksia online) 
(sg/shqiptarja.com)