ATHINE- Një tjetër krizë duket se do të përfshijë skenën politike të Greqisë dhe, veçanërisht partinë kryesore të qeverisë, konservatorët e Demokracisë së Re. Gjithçka bëhet për votat që do kjo parti të marrë nga elektorati i djathtë, por edhe ai i ekstremit të djathtë, të cilët duket se i janë larguar.
 
Pavarësisht deklarimive të vazhdueshme të kryeministrit Samaras dhe, njëkohësisht edhe kryetar i Demokracisë së Re, funksionarë të lartë të partisë kërkojnë me ngulm që partia në pushtet të çelë dyert edhe për anëtarë të partisë neonaziste të “Agimit të Artë”, me justifikimin se në këtë mënyrë zgjerohet baza elektorale e Demokracisë së Re.
 
Një tjetër justifikim është edhe fakti që këta kërkojnë “transferimin” e neonazistëve në partinë e tyre, edhe me pretendimin se Demokracia e Re tashmë bashkëpunon në qeveri me socialistët e PASOK dhe se është e kuptueshme që të kërkojë bashkëpunimin edhe me ekstremin e djathtë, i cili ka dalë nga gjiri i kësaj partie dhe është larguar, kur Demokracia e Re, bëri kthesën ideologjike drejt qendrës.
 
Sipas burimeve të mirëinformuara, funksionarë të Demokracisë së Re, që nuk janë në rrethin e ngushtë të kryeministrit, përgatisin paraqiten e një platforme ideologjike e politike, me të cilën do të kërkojnë nga udheheqja e partisë të mendojnë çeljen e dyerve nga e djathta, duke ftuar të hyjnë në të funksionarë të ‘”Agimit të Artë” në Demokracinë e Re.
 
Këto po ndodhin në momentin kur neonazistët e “Agimit të Artë”, gjenden në kontakt kohët e fundit me diplomatë në pension, ushtarakë, por edhe me funksionarë të dikurshëm të Demokracisë së Re, në mënyrë që të formohet një listë elektorale personalitetesh në kuadër të zgjedhjeve për Parlamentin Europian, por edhe të zgjedhjeve lokale.
 
Të dhënat e sondazheve të fundit duket se kanë shqetësuar persona të ndryshëm në Demokracinë e Re, të cilët deklarojnë se ndryshimet e divergjencat ndermjet dy partive nuk janë të pakapërcyeshme.
Pas deklaratave të deputetit më të vjetër të Demokracisë së Re dhe ish-ministrit të Brendshëm të konservatorëve se: “’Agimi i Artë’ nuk përbën kërcënim për Demokracinë”, presioni tashmë vjen nga baza elektorale e partisë, e cila “zien” nga mllefi për shkak të bashkëpunimit dhe bashkëqeverisjes me PASOK-un. Anëtarë të thjeshtë duket se do të kërkojnë hapur nga lidershipi i Demokracisë se Re, që të pranojë në gjirin e saj funksionarë të ndryshëm të “Agimit të Artë”, por pa e përcaktuar nëse një lëvizje e tillë do të jetë një “hapje” totale ndaj neonazistëve.
 
Çfarë do të ndodhë në një rast të tillë?
Në rast se kjo lëvizje do të shfaqet dhe do të bëhet publike, do të sjellë në një pozicion shumë të vështirë lidershipin e Demokracisë së Re, Antonis Samaras, i cili nga njëra anë përpiqet të justifikojë bashkëqeverisjen me PASOK dhe nga ana tjetër përpiqet që të ndërpresë urat në lidhje me çfarëdo lloj diskutmi për bashkëpunikm me Agimin e Artë.
 
Dhe kjo në kohën kur zëra brenda partisë pretendojnë se për shkak të bashkëqeverisjes, Demokracia e Re, humbet superioritetin moral kundrejt PASOK. Deri në momentin që po flasim bëhen përpjekje të ndërpritet kjo iniciativë që vjen nga “baza” e partisë konservatore për hapje ndaj “Agimit të Artë”, por, po qe se një gjë e tillë do të ndodhë,, atëherë do të ketë pasoja shumë të rënda politike.
 
Në një rast të tillë ndoshta ka edhe largim të PASOK nga qeveria, por edhe largim të shumë deputetëve të moderuar nga Demokracia e RE, gjë që do të thotë një kalim në zgjedhje të parakohshme, por edhe një humbje të idenditetit politik e ideologjik të Demokracisë së Re si parti e qendrës së djathtë dhe e moderuar.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)