ATHINË, 28 shkurt /ATSH-ANA-MPA/ - Projektligji i parë që do të paraqesë qeveria javën e ardhshme do të ketë të bëjë me përballimin e krizës humanitare, ndërsa në vazhdim do të depozitohen projektligje për rregullimin e detyrimeve të pashlyera ndaj shtetit, ku do të përfshihet edhe mbrojtja e banesës së parë dhe rifunksionimi i ERT (Radiotelevizionit Publik Grek), deklaroi kryeministri Aleksis Cipras në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Duke iu referuar tërthorazi qëndrimit të "Demokracisë së re", Cipras tha se "sot shumë do të donin që të kishim pranuar masat e shkatërrimit të shoqërisë për të cilat kishte rënë dakord qeveria e mëparshme, vetëm e vetëm që të mos dëshmohet lakuriqësia e saj politike dhe mungesa e kredibilitetit" dhe se "disa shpresojnë se do të ketë një memorandum të tretë, në qershor".
"Më vjen keq, por përsëri do t'i zhgënjejmë", tha kryeministri duke shtuar se "ajo që synojmë në fund të katërmujorit është një marrëveshje reciprokisht e pranueshme me partnerët për çlirimin përfundimtar të vendit nga mbikëqyrja mbytëse dhe diskredituese. Një marrëveshje që do t'i bëjë të qëndrueshme detyrimet tona financiare dhe do të japë mundësinë që të kthehemi te zhvillimi, normaliteti dhe kohezioni social".
Kryeministri komunikoi gjithashtu se javën e ardhshme do të depozitohet në parlament propozimi për krijimin e një komisioni parlamentar me qëllim që të hetohen kushtet por edhe përgjegjësitë politike të faktorëve që luajtën rol në falimentimin e vendit.
Kryeministri u rekomandoi pjesëtarëve të Këshillit të Ministrave që të punojnë më shumë për të realizuar mandatin popullor.
"Ju ftoj për më pak fjalë dhe për më shumë punë. Më pak fjalë dhe më shumë vepra", theksoi Cipras./ a.jor.









