GREQI - 342 kartmonedha false me vlerë 2910 euro si edhe materiale të tjera kompromentuese janë sekuestruar nga policia e Athinës në lagjen Kolono të kryeqytetit helen, pas zbulimit të një laboratori falsifikimi eurosh.

Laboratori i falsifikimit të kartmonedhave është zbuluar pas një operacioni të policisë.

Policia ka vlerësuar informacionet dhe me një operacion të befasishëm ka arrestuar mesditën e së shtunës brenda në laboratorin e jashtëligjshëm një 54 vjeçar nga Shqipëria, i cili ishte edhe pronari i shtëpise ku ishte ngritur laboratori.

Gjithashtu të shtunën në mesditë në ishullin Siro ishte arrestuar edhe një shtetas grek 57 vjeçar, në pronësi të të cilit u gjetën sasira të mëdha kartmonedhash të falsifikuara, të cilat kishte dashur t'i pastronte duke shfrytëzuar pikun e sezonit turistik.

Policia është në kërkim të dy shqiptarëve të tjerë dhe të një shtetasi grek, të cilët hidhnin në treg kartmonedhat e falsifikuara, nëpërmjet metodave të ndryshme.

Njëra nga metodat ishte që t’ua shisnin kontrabandistëve me 20% të vlerës reale, ndërsa tjetra t’i pastronin vetë, duke blerë sende me vlerë të vogël me kartmonedha me vlerë të madhe, kryesisht nëpër kioskat, të cilat nuk kishin makinerinë e zbulimit e kontrollimit të kartmonedhave false.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)