ATHINE- Pas listës “Lagarde” dhe asaj të “Lihtenshtejnit”, një listë e re e pagëzuar me emrin “Junker” pritet të mbërrijë në duart e organeve greke, e cila njëherësh rikonfirmon përmasat e evazionit fiskal në shtetin Helen. Bëhet fjalë për një listë me emrat e grekëve të cilët kanë nxjerrë paratë e tyre në bankat e Luksemburgut në tre vitet e fundit, depozita të cilat arrijnë deri në 800 milionë euro.
 
Pasi vetë kryeministri i Luksemburgut dha dijeni për ekzistencën e kësaj liste, ministri grek i Financave, Janis Sturnaras i dërgoi një notë homologut të tij në Luksemburg, Luk Frinten, duke i kërkuar emrat dhe të dhënat e depozituesve grekë. Sipas organeve të tatim-taksave të Greqisë, lista “Junker” pritet të mbërrijë në Athinë në fillim të shtatorit.
 
Por pavarësisht se edhe më herët qeveria greke ka zotëruar 2063 emrat e listës “Legarde” me depozitat e grekëve të pasur në bankat zvicerane, si dhe listën prej 54 000 emrave të bankave në Lihtenshtejn, shumë pak prej “miliarderëve” grekë janë thirrur pranë tatim taksave për të paguar detyrimet financiare, ose në të kundërt, të gjobiten për evazionin fiskal.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)