ATHINE- Qeveria greke ka vendosur te mbyllë televizionin shtetëror, ERT. Zëdhënësi i qeverisë Simos Kedikoglou njoftoi se shkaku i këtij vendimit lidhet me reformat ekonomike që kërkon treshja e Trojkës, (Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar). Njëra nga reformat përfshin edhe largimin nga puna të 15 mijë punonjësve civilë në administratën shtetërore deri në fund të vitit.

Kjo do të thotë se dy e treta e 2800 punëtorëve, të cilët punojnë në radion dhe televizionin publik grek do të pushohen nga puna.

Zëdhënësi i qeverisë greke ka njoftuar se mbyllja e televizionit shtetërore do të bëhet duke filluar nga mbrëmja e sotme dhe do të mbetet në fuqi për 3 muajt e verës.

Në të njëjtën kohë, zëdhënësi i qeverisë greke bëri të ditur se do të krijohet një televizion publik modern dhe jo i kontrolluar nga shteti apo partitë politike. Zëdhënësi i qeverisë tha gjithashtu se “ERT-ja do të punojë me shërbime satelitore dhe teknologji moderne”.

Ndërkohë, ka pasur reagime nga parti të ndryshme politike, por edhe nga sindikata e punëtorëve të cilët kanë nisur një manifestim para zyrave të ERT. PASOK e ka cilësuar vendimin si një akt të njëanshëm të qeverisë.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)