TIRANE-  Sikundër bëhet e ditur nga shtypi grek qeveria ka vendosur që në mënyrë graduale të ... “çarmatosë” partinë neonaziste të Agimit të Artë.

Nuk bëhet fjalë për mbledhjen e armatimeve që disponojnë në mbarë territorin e Greqisë anëtarët dhe simpatizantët e kësaj partie, por për çarmatosjen fillimisht të deputetëve të saj, të cilët qarkullojnë brenda parlamentit grek me armë të mbushura, por edhe kërcënojnë e i përdorin ato në publik.

Ministri i Rendit Publik dhe i Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Dendias, i është përgjigjur pyetjes së 26 deputetëve të SYRIZA. Pyetjet kishin të bënin  me përdorimin e rrezikshëm të armëve nga ana e deputetëve dhe lëshimin e pakontrolluar të lejeve të armëmbajtjes.

Ai tha se i eshtë hequr leja e armëmbajtjes së deputetit neonazist A. Gregu dhe po procedohet edhe për deputetin tjetër të kësaj partie, J. Germeni.

Në maj të 2013 deputeti Grego në aerodromin e Athinës, për pak sa nuk shkaktoi viktima, kur pistoleta e tij e mbushur u “shkrep”, në kohën kur po e “dorëzonte” për të kaluar kontrollin,

Po ashtu po hetohet edhe për agresionin e deputetit tjetër neonazist J. Germeni kundër kryebashkiakut të Athinës, J. Kaminis, i cili e denoncoi deputetin në fjalë, për të cilin po shqyrtohet vendimi për heqjen e lejes së armëmbajtjes.

Gjithashtu ministria e Rendit të Greqisë po shqyrton edhe mundësinë e një dekreti, dispozite ligjore në lidhje me kushtet që duhet të plotësojë dikush, qoftë ky edhe deputet, për të nxjerrë një leje për mbajtje arme.

Sipas këtij ligji do të ketë kushte edhe më të rrepta për dhënien e lejeve të armëmbajtjes, të cilat kanë të bëjnë edhe me evolucionin e proceseve penale të personit që kërkon të mbajë armë, njohuritë në lidhje me posedimin, transportin, përdorimin dhe ruajtjen e armëve të zjarrit.

Po ashtu bëhet e ditur se ministria greke e Rendit duket se ka marrë seriozisht edhe çarmatosjen e pasuesve dhe anëtarëve të partisë naziste të Agimit të Artë, të cilët janë përgjegjës edhe për akte të ndryshme agresioni, kryesisht kundër emigrantëve, por edhe kërcënim e përdorim të armëve të zjarrit në publik.

KRISTO PAPA ME ARME NE SHQIPERI
Bëhet gjithashtu e ditur se deputeti neonazist grek, Kristo Papas, ka qarkulluar me armë edhe në Shqipëri, të cilën e ka vizituar disa herë, së bashku me badigardët e tij.

Gjithashtu shumë anëtarë dhe eksponentë të Agimit të Artë kalojnë kufirin me Shqipërinë pa iu nënshtruar kontrolleve për posedimin e armëve.

Rasti i fundit i kërcënimit të neonazistëve në Himarë, në përvjetorin e A. Gumës, kur neonazistët greko-shqiptarë të Agimit të Artë lëshuan kërcënime jo vetëm me fjalë e deklarata, por edhe duke ekspozuar armët, ka sjellë shqetësim dhe pyetjen në parlamentin grek.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)