Një anije e cila ishte duke transportuar hekur, është përplasur dhe më pas është mbytur në brigjet e ishullit Andros në detin Egje.

Sipas autoriteteve greke, anija "Cabrera", ishte duke lundruar për në Finlandë ku  do të shkarkonte edhe ngarkesën e saj prej 3,500 tonë hekur.

Në ndihmë të anijes kanë ardhur  tre rimorkiatorë dhe një helikopter, duke bërë të mundur shpëtimin e ekuipazhit prej 9 personash të anijes, të cilët janë dërguar në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Ende nuk dihen shkaqet që kanë çuar në devijimin e më pas në përplasjen e anijes, por sipas sqarimit të rojës bregdetare, mbytja e anijes  ka ardhur si pasojë e dëmtimit që kishte pësuar gjatë përplasjes.

Ndërkohë hetimet për ndryshimin  e kursit të anijes janë duke vijuar.

Redaksia Online
D.T/Shqiptrja.com