GREQI - Dhe befasisht në mes të verës në skenën politike greke po lind një dashuri e re...Fillimisht ishin gjysmëfjalë, pëshpëritje. Më pas fjalët ishin me zë dhe me hapur. Funksionarë të lartë të partisë më të madhe të opozitës në Greqi, SYRIZA dhe funksionarë të lartë të Demokracisë së Majtë, kanë filluar të flasin gjithnjë e më shumë dhe hapur për bashkëveprim politik, aleancë dhe bashkërendim të qëndrimeve politike të dy partive të Majta.

Le të mos harrojmë se Demokracia e Majtë lindi si parti nga shkëputja e fraksionit  të moderuar nga SYRIZA pak përpara zgjedhjeve...Deputetë të DIMAR dhe SYRIZA  kanë folur hapur tashmë për një bashkëpunim paszgjedhor ndërmjet dy partive dhe se bashkëpunimi, i cili më parë ngjante i pamundur, tashmë nuk përjashtohet, sidomos pas largimit të DIMAR nga qeveria greke.

Kjo situatë tashmë ndryshon krejtësisht hartën politike në Greqi, pasi në rast të mbizotërimit dhe qenies në vendin e parë të SYRIZA në zgjedhjet e ardhshme, duke pasur parasysh bonusin prej 50 vendesh në parlament, si edhe me votat e Demokracisë së Majtë, ka shumë mundësi që Greqia të ketë një qeveri të majtë.

Po qe se në këtë skenar përfshijmë edhe votat e Grekëve të Pavarur, të cilët janë totalisht kundër politikës shtrënguese të memorandumeve të imponuara Greqisë, atëherë qeveria që do të dalë do të jetë shumë e fuqishme.

Pavarësisht se nuk flitet hapur, në projektet politike të SYRIZA, është edhe afrimi me hapa të kujdesshëm me KKE (Partinë Komuniste Greke), në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të ekzistojë një platformë politike (jo nëp nivel bashkimi partish), në mënyrë që të jetë e mundur mbizotërimi dhe fitorja e një qeverie të së Majtës...

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)