Policia greke ka arrestuar të hënën një shtetas shqiptar të moshës 25-vjeçare, i cili besohet të jetë futur në një shtëpi në lagjen Peristeri (Athinë perëndimore), me synim grabitjen. Ngjarja ka ndodhur vitin e kaluar, ku i arrestuari së bashku me një shtetas tjetër shqiptar, kanë përdhunuar banoren 45-vjeçare të shtëpisë dhe e kanë torturuar bashkë me të ëmën.
Pas arrestimit të 25-vjeçarit, Policia arrestoi edhe të dyshuarin e dytë, i cili besohej të ishte kthyer në Shqipëri. Media Newsit.gr, raporton se njëri nga dy të arrestuarit është kapur edhe më parë në Shqipëri për vepra të ngjashme penale.
Autorët, të cilët ishin fqinjë me viktimat, kishin pikasur se dy gratë bënin tërheqje të shpeshta në bankë. Kjo tregon se grabitja e tyre ka qenë e planifikuar. Dy shqiptarët projektuan të futeshin nga një dritare e pa siguruar, gjë që ndodhi, por nuk gjeten shumën e parave për të cilën kishin menduar.
Sipas hetuesve të policisë, dy të dyshuarit i torturuan gratë në mënyrë që ata t’u zbulonin se ku gjenden objektet e tyre me vlerë. Thuhet se ata i kanë mbajtur peng dy gratë për rreth 12 orë dhe 45-vjeçaren e kanë përdhunuar në mënyrë të përsëritur.
Të arrestuarit do të dërgohen para autoriteteve gjyqësore. Ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda si ajo e përdhunimit dhe grabitjes.
d.gj/Shqiptarja.com










