Në zgjedhjet evropiane, të dielën më 25 maj, partitë politike të ekstremit të djathtë do të përpiqen të arrijnë fitore kudo në kontinent. Mes tyre është Agimi i Artë, partia greke, e cila nisi si një grup i vogël që u bë i njohur për përleshjet e dhunshme me emigrantë në rrugët e Athinës.

Në zgjedhjet e vitit 2012, Agimi i Artë hyri në parlament për herë të parë, me 18 deputetë. Zgjedhja e tyre u pa si një votë proteste nga grekët e zemëruar ndaj masave shtrënguese ekonomike.

Agimi i Artë mbetet në vendin e tretë ose të katërt në sondazhet e opinionit në prag të zgjedhjeve evropiane. Kjo, megjithë një hetim të qeverisë, që ka çuar në burg gjashtë deputetë, duke përfshirë kreun e partisë, Nikos Mikaloliakos. Ata akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Hetimi erdhi pas një serie sulmesh ndaj imigrantëve. Parlamenti votoi për të shkurtuar fondet e partisë dhe për heqjen e imunitetit të deputetëve.
 
"Ne nuk do të tërhiqemi, as nga burgimet dhe as nga vrasjet," tha deputeti i partisë Agimi i Artë, George Germenis, të cilit iu dha leje nga burgu për të folur në parlament, në pritje të gjyqit.
 
Germenis është parë në një video, ku mbështetës të partisë prishin stendat e imigrantëve në një treg të Athinës.

Partia pretendon se hetimi është një përpjekje për të goditur anëtarët e saj, në mënyrë që ata të mos mund të kandidojnë në zgjedhje. Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 18 maj, deputetët Ilias Kasidiaris dhe Ilias Panagiotaros, të dy të liruar me kusht, dolën në vend të katërt. Edhe deputetët e tjerë u paraqitën mirë.

"Në zgjedhjet komunale dhe evropiane, me sa duket ne do të fitojmë kudo  në qytete, në prefektura dhe në Parlamentin Evropian," u tha Panagiotaros përkrahësve.
 
Evropa ka parë një rritje të partive të ekstremit të djathtë, por profesori i shkencave politike në Universitetin e Athinës, Dimitri A. Sotiropoulos thotë se Agimi i Artë ndryshon nga të tjerat.

"Kjo nuk është e ngjashme me partitë e tjera në Evropë, ajo është një parti qartazi neo-naziste. Partitë e tjera të ekstremit të djathtë në Evropë nuk nënvizojnë në retorikën e tyre shovinizmin dhe racizmin, që gjen në retorikën politike të Agimit të Artë. Një tjetër karakteristikë e saj është përdorimi i dhunës," thotë profesori.
 
Ilias Kasidiaris, i cili i hodhi ujë në fytyrë një politikaneje të partisë së majtë SYRIZA dhe i ra me shuplakë gjatë një debati televiziv në vitin 2012, përdori retorikën kundër imigrantëve në një fjalim fushate të kohëve të fundit.

"Në më pak se 100 vjet, ndoshta në dy brezat e ardhshëm, grekët do të jenë pakicë në vendin e tyre. E vetmja mënyrë për ta luftuar këtë të keqe në rrënjët e saj është përmes zgjedhjeve të majit. Ne duhet t'i fitojmë zgjedhjet e majit, për të ruajtur gjakun grek," tha Kasidiaris.

Ai tha se qëllimi i Agimit të Artë është që përfundimisht të qeverisë vendin.

Profesor Sotiropoulos beson se arsyeja që partia Agimi i Artë vazhdon të ketë  popullaritet është se ajo di të shfrytëzojë zemërimin dhe dëshpërimin e qytetarëve, diçka që BE-ja nuk ka arritur ta zbutë.

"Bashkimi Evropian ka bërë shumë përparim, por jo mjaftueshëm për t'u vlerësuar nga ana e grupeve me të ardhura të ulëta të Evropës dhe nga brezat e rinj të evropianëve. Kjo lë mjaft terren për lulëzimin e së djathtës populiste," thotë profesori.
 
Zgjedhjet evropiane do të mbahen më 25 maj dhe sondazhet i japin Agimit të Artë rreth tetë për qind të votave, duke e renditur në vendin e tretë ose të katërt.

Marrë nga Zëri i Amerikës

Redaksia online
(ar.sh/Shqiptarja.com)