Greqi - Një zjarr i rënë në lindje të kryeqytetit grek u shua në orët e para të së shtunës, bënë të ditur autoritetet vendase. Falë punës së ekipeve të zjarrfikësave u bë e mundur të shmanget përhapja e flakëve drejt Athinës.

Vatra e zjarrit u lokalizua në komunën e Markopulos dhe ka shkaktuar djegien e disa ullishteve, parcelave me grurë por edhe dëmtimin e disa shtëpive.
 
Për fatin e mirë deri tani nuk ka të plagosur apo viktima. Zjarret kërcënuan gjithashtu edhe disa fshatra përreth zonës ku u ra zjarri.
 
Flakët e zjarrit, u favorizuan edhe nga erërat e fortë dhe nga moti i thatë. Në zonë ishin 10 aeroplanë që mbartin ujë, dy helikopterë, 40 automjete dhe 100 zjarrfikës që ndihmuan në shuarjen e zjarrit dhe në përpjekje për të mbajtur flakët larg nga zonat e banuara.
 
Kjo është një nga zjarret më të mëdha në Greqi deri më tani, pasi të tilla janë bërë të zakonshme gjatë stinës së verës në vendin helen.

(l.ç/v.gj/shqiptarja.com)