Partia më e madhe opozitare greke, Demokracia e Re ka zgjedhur kryetarin e ri të saj. Kyriakos Mitsotakis, ka fituar me 51% të votave ndaj rivalit Evangelos Meimarakis, që ka marrë 49%.

Rezultatet u shpallën pak para mesnatës së të dielës. Pas rezultatit Meimarakis i ka telefonuar rivalit të tij për ta uruar. Votimi i parë për kreun e ri të Demokracisë së Re ishte zhvilluar muajin e kaluar, por askush prej katër konkurruesve nuk kishte arritur të fitonte maxhorancën e nevojshme.

Analistët e lexojnë rezultatin e votimit si një verdikt të elektoratit të Demokracisë së Re për t’u rinovuar partia dhe për t’u zhvendosur më afër qendrës. Kyriakos Mitsotakis, 47 vjeç është i biri i Konstantinos Mitsotakis, ish kryeministrit konservator të Greqisë në fillim të viteve 1990, dhe vëlla i ish ministres së jashtme, Dora Bakojanis. 

I diplomuar në Harvard dhe Standford University, Mitsotakis hyri në politikë në vitin 20054, kur u zgjodh deputet me Demokracinë e Re. Në qeverinë e Antonis Samaras ai ishte ministër i reformës administrative dhe i faturohen një sërë reformash që mbaheshin të bllokuara prej vitesh. Vetë Mitsotakis ka qenë vazhdimisht një kritikues i ashpër i qeverisë aktuale, të cilën e akuzon si të paaftë dhe populiste.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)