Atmosfera në shtabin e Syriza pas shpalljes së rezultateve
ATHINË, 24 Janar/- Komentet e para të fituesve potencial të zgjedhjeve parlamentare, përkatësisht të drejtuesve të Syriza-s kanë qenë të kujdesshme, por duke dërguar një mesazh të qartë në Bruksel.
"Është një fitore historike. Është fitorja e një populli që është mobilizuar kundër masave shtrënguese". Ky ka qenë komenti i një drejtuesi të SYRIZA-s, së majtës greke që ka fituar thellë zgjedhjet e së djelës.
Rezultati  
Sondazhet e para të publikuara në Greqi, të ashtuquajturat exit-polle, i japin SYRIZA-s së Alexit Tsipras një fitore të thellë, me një diferencë prej 12 pikësh.
Menjëherë sapo është mbyllur procesi i votimit, në orën 19.00 me orën greke(ora 18.00 orën tonë) janë publikuar exit pollet e para, gat ë gjitha mediat botërore. Kështu sipas shifrave të shpërndara nga euronevvs: SYRIZA ka marrë 35.5%-39.8%, Nea Demokratia e Kryeministrit Samaras ka marrë 23-27%, e treta në radhë është partia Potami(Lumi, parti e qendrës së majtë), me 6.5-8% ndërkohë që në të njëjtat shifra qëndron Agimi i Artë. Në vendin e pestë dhe të gjashtë qëndrojnë komunistët dhe PASOK-u tashmë i dërrmuar.
Rezultatet zyrtare do të nisin të shpërndahen prej orës  20.30, bëri të ditur Ministria e Brendshme, e cila është në krye të organizimit të procesit të votimit. Lideri i SYRIZA-s, Alexis Tsipras, ka deklaruar sot ndërsa po votonte se "Sot bëhet historia, do të rifitojmë demokracinë".
SYRIZA 33,5-37,5%
 
Demokracia e Re 25-28%
 
Agimi i Artë  5-7,5%
 
Lumi 5-7%
 
PASOK 4-6%
 
Partia Komuniste 4,5-6,5%
 
Grekët e Pavarur 3,5-4,5%
 
Lëvizja Social Demokrate 2,2-3,2%
 
Partitë e tjera 7,3-9,3%