ATHINË - Mbi prioritetet e Presidencës së ardhshme greke të BE flet një artikull i portalit internetik të BE, Euractiv, duke komentuar se “zgjerimi nuk përbën prioritet të Presidencës greke!”.
 
Artikulli në fjalë thotë se pavarësisht premtimeve të mëhershme të Athinës për nxitjen e prespektivës europiane të Ballkanit Perëndimor, prioritetet e Presidencës greke që janë paraqitur në portalin  e Ministrisë së Jashtme të Greqisë nuk e përfshijnë fare politikën e zgjerimit. Nënvizohet fakti se Greqia ka qenë në pararojë të zgjerimit me Axhendën e Selanikut në vitin 2003, e cila përbën pikënisjen për perspektivën e zgjerimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
 
Zëvendësministri i jashtëm grek, Dhimitris Kurkulas, i pyetur për mungesën e politikës së zgjerimit nga prioritetet e Presidencës greke, ka deklaruar se zgjerimi përbënte dhe do të vazhdojë të përbëjë prioritet për Greqinë, duke nënvizuar se Greqia me të marrë Presidencën do të merret me rastin e secilit shtet në veçanti, natyrisht me rezultatet dhe zhvillimet e secilit shtet në veçanti.
 
“Përderisa ekziston marrëveshja politike dhe premtimi politik nga ana e BE, objektivi ynë është që të ecim me hapa të përcaktuar, të përshtatura në nevojat e veçanta dhe në kushtet që i përkasin secilit rast. Në këtë kuadër, Presidenca Greke, premton se do të nxisë prioritetet e zgjermit të BE dhe të përballojë me rezultativitet sfidat që ftohet të përballojë çdo vend i interesuar, në kushtet aktuale”!- ka deklaruar zevendësministri i jashtëm grek.
 
Duke vazhduar artikulli në fjalë nënvizon se zgjerimi i intereson në mënyrë imediate Greqisë. Për marrëdheniet dypalëshe mes Athinës dhe Ankarasë, nënvizohet se janë shënuar disa përparime në nivelin diplomatik, por se gjatë Presidencës greke do të synohet mbajtja e një Samiti, ose e një Këshilli Ndërlidhes mes BE dhe Turqisë.
 
Në programin e paraqitur të Presidencës së ardhshme greke flitet edhe për perspektivën europiane të Shqipërisë, Shkupit, dhe nënvizohet pengesat që ndeshen këto vende në integrimin e tyre të plotë europian.

Artikulli nënvizon veçanërisht se zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i qeverisë greke, Evangjelos Venizelos, ka përshkruar përpara disa kohësh prioritetet ekonomike të Presidencës greke, si një tentativë për një “start të ri” për europianët, që jetojnë një krizë të paprecedentë. Për këtë arsye Greqia do të ndihmojë në krijimin e një “kulture të re europiane, e cila do të jetë praktike, e përcaktuar dhe përparimtare”!
 
Analistët grekë theksojnë se mungesa e politikave të zgjerimit të presidencës greke përbën edhe një mesazh të fortë e të qartë për vendet fqinje, Turqinë, Shqipërinë e FYROM, të cilat dëshirojnë dhe synojnë t’i bashkangjiten familjes europiane.

Për analistët grekë, kjo politikë që do të ndiqet nga Greqia gjatë Presidencës së BE, do t’i detyrojë vendet e sipërpërmendura që të jenë më “tolerante” dhe jo aq agresive ndaj Greqisë dhe përbën për Athinën zyrtare një shans të madh, që të mbyllë disa çështje politike të ngelura pezull me këto vende.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)