TIRANE- Që prej 1 janarit, kufiri shqiptaro-grek do të monitorohet prej Forcave të Armatosura të ushtrisë greke. Lajmi publikohet nga Ministria e Mbrojtjes e vendit fqinj që njofton se pas ngjarjeve të kohëve të fundit në Prespë, ku një polic grek dhe dy shtetas shqiptarë humbën jetën, por edhe tentativat e njëpasnjëshme të narkotrafikantëve në pika të tjera të kufirit dypalësh, Athina zyrtare vendosi të dërgojë ushtrinë për monitorimin e kufirit. Burime pranë kësaj ministrie thonë se forcat ushtarake fillimisht do dislokohen në zonën e Prespës, ku do hapen së shpejti dy posta vrojtimi dhe brenda pak ditëve, pika të ngjashme do ngrihen në të gjithë vijën kufitare prej 600 kilometra mes dy vendeve.

Ende s’sqarohet mënyra e funksionimit të pikave por burimet shpjegojnë se roli i ushtrisë do jetë i kufizuar. Informacionet që do grumbullohen prej postave kufitare do t’i përcillen patrullave të policisë që do veprojnë në terren. Ushtarët do monitorojnë dhe shkatërrimin e pyjeve prej atyre që presin pemët, duke përfituar në mënyrë të paligjshme lëndë drusore e do parandalojnë gjuetinë e jashtëligjshme në rezervatet natyrore të Prespës e të malit të Gramozit. Zona e kufirit midis Shqipërisë e Greqisë gjendet mes pyjeve e maleve të larta e shfrytëzohet prej trafikantëve të armëve, lëndëve narkotike për kalimin drejt Greqisë e anasjelltas por është e pamundur të ruhet nga policitë e dy vendeve.
 
Stërvitja në kufi

Por forcat ushtarake greke janë instaluar në kufi që në mesin e shtatorit të këtij viti, ku zhvilluan një stërvitje me qëllim “neutralizimin e UÇK e UÇÇ”(Ushtrisë për Çlirimin e Çamërisë). Sipas mediave greke, stërvitja u zhvillua në fshatin Dipotamia, afër Kosturit dhe malit Gramoz. Kjo stërvitje është urdhëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Greqisë, Mihalis Kostarakos dhe vjen pas zërave se të arratisurit shqiptarë nga burgu i Trikallas, kanë patur lidhje me UÇK dhe pas ngjarjeve që kanë ndodhur në Përmet me kishën ortodokse. Sipas mediave greke, që citojnë zyrtarë të shërbimit sekret grek, UÇÇ kontrollohet drejtpërdrejt nga UÇK, qendra e saj ndodhet në jug të Shqipërisë e UÇÇ ka afro 5 mijë pjesëtarë të armatosur dhe të gatshëm për luftë guerile në Greqi. Pas Shkupit, objektiv i UÇK do jetë aktivizimi u UÇÇ në Epir thonë mediat greke.

Përplasjet e fundit në kufirin Greko-Shqiptar
Muajt e fundit në kufirin greko-shqiptar janë shënuar dhjetra incedente që nisën me arratisjen e 11 të burgosurve nga burgu i Trikalasë, operacion që u kushtoi grekëve 1 milionë euro, derisa u kapën. Më tej kalimi në tokën greke i 3 shqiptarëve që ishin arratisur nga burgu i Drenovës solli problem të tjera, derisa i arrestuan. Rasti më flagrant i përplasjeve të fuqishme, i përket përleshjes në Vrontero të Prespës ku u vranë 2 vëllezër shqiptarë e një polic grek. Shkak ishte vjedhja e rrjetave të peshkut teksa ky fenomen vijon pafund. Mosfunksionimi i pikës së Igumenicës e ka shndërruar liqenin e Prespës në vendin kyç ku zhvillohet trafiku i drogës, njerëzve e armëve. Sidikata e policisë ka kërkuar shtim të rojeve kufitare, ndërsa kryepolici grek kërkoi në Tiranë arrestimin e shqiptarëve që kanë bërë krime atje. Agimi i Artë ka kërkuar minosjen e vijës kufitare.
 
Shkrimi u publikua sot (26.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)