Greqia dhe Kina kanë nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme biznesi me vlerën e 5 miliard dollarëve kryesisht në fushën e eksporteve dhe ndërtimit të anijeve. 

Kryeministri kinez Li KeQijang, ka  vizituar Greqinë këtë javë si pjesë e turit të tij disa ditor në Evropë. Kjo ishte vizita e tij e parë në shtetin grek, shtet, i cili përbën një rëndësi  të madhe për Kinën në aspektin gjeopolitik. Gjatë vizitës, ai është pritur nga kryeministri i Greqisë Antonis Samaras. Në një deklaratë të përbashkët për mediet, të dy kryeministrat shprehën dëshirën për bashkëpunim më të gjerë në të ardhmen.

Kryeministri grek Antonis Samaras tha se Kina është e interesuar në aeroportet e Greqisë dhe  theksoi se shpreson që vendi i tij, të mund të shndërrohet edhe në një qendër transiti për transportin ajror, mes Kinës dhe Evropës.

Kryeministri kinez  gjithashtu shprehu interes në ndërtimin e hekurudhave dhe në ndërtimin e aeroportit të Kretës. Kina po synon që të ketë aksione edhe në portin e Pireut. Këtë e theksoi kryeministri kinez i cili e përshkroi portin e Pireut, si një perlë të detit Mesdhe, duke theksuar madje se ai është porti më konkurrues në të gjithë botën. Kina do të investojë një shumë prej 310 milionë dollarësh për zgjerimin e portit të Pireut, një marrëveshje kjo e cila do të duhet të marrë edhe aprovimin e Bashkimit Evropian.

Kjo marrëveshje shihet si jetike dhe shumë e leverdishme për të dyja vendet. Greqia ka patjetër nevojë për të rritur fondet e saj për të reduktuar borxhin publik,  dhe Kina kërkon një rrugë-dalje më të gjerë drejt Evropës.

Marrë nga "Shekulli"