ATHINE- Greqia ka tri ditë kohë për t’u siguruar kreditorëve të saj ndërkombëtarë që do të përmbushë angazhimet e saj në kuadër të ndihmës, në mënyrë që të marrë këstin e ardhshëm të ndihmës financiare, deklarojnë katër zyrtarë të Trojkës, në një artikull të agjencisë së lajmeve “Reuters”.
 
Agjencia e lajmeve shkruan se zyrtarët e përfshirë në negociatat me Athinën janë të pakënaqur nga progresi i Athinës në reformimin e sektorit publik, administratës tatimore dhe operimin e sistemit shëndetësor në Greqi.
 
Trojka ka biseduar të hënën me qeverinë greke për lirimin e këstit të fundit prej 8.1 miliardë euro.
 
"Ne të gjithë u pajtuam se Greqia duhet të përgjigjet për angazhimet e saj deri të premten” shkruan “Reuters” duke u referuar zyrtarëve të lartë të Eurozonës.
 
Zyrtarët e eurozonës priten të takohen më 8 korrik në Athinë mbi lëvrimin e fundit të këstit.
 
Ndërkohë, një zyrtar i lartë i qeverisë greke ka deklaruar se ky është një negociim shumë i vështirë dhe i rëndësishëm për Athinën, e cila duhet të bindë jo vetëm Trojkën, por edhe vetë qytetarët grekë.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)