Dita e dhjetë e grevës së naftëtarëve ka nisur me një tubim para zyrave të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier.
Dritan Shahu, kreu i Sindikatës tha se “Përfaqësues të kompanisë kanë fotografuar dhe filmuar punonjësit, një formë presioni që, thonë ata, është përdorur edhe në protestat e mëparshme”.
Gjendja shëndetësore e 10 anëtarëve të këshillit sindikal që prej dhjetë ditësh ndodhen në grevë urie po përkeqësohet por shprehen të vendosur në kërkesat e tyre.
Sotiraq Dano dhe Dorjan Dylmishi shprehen se janë të vendosur ta çojnë deri në fund kauzën e tyre, edhe nëse kjo do t’u kushtojë jetën. Ata shtojnë se fusha naftëmbajtëse është tashmë pa mbikëqyrjen e inxhinierëve.
Inxhinierët e rinj Valter Nukaj dhe Arti Barjami nënvizojnë mungesën e vlerësimit dhe faktin se prej vitesh punojnë pa asnjë rritje page.
Në Tiranë, disa qytetarë dhe aktivistë të shoqërive civile dolën në protestë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në solidaritet me naftëtarët e Bankers.
Ata kërkuan që ministrja Belinda Balluku të ndërmjetësojë me kompaninë për të garantuar kushtet minimale të punës dhe rritjen e pageve.
Mes tyre është dhe Renato Tahaj, inxhinier i sigurimit teknik në Bankers I cili tha se “ne nuk kemi dalë për lëmosh. Kompania na ka ofruar vetëm një shtesë prej 40 mijë lekë të vjetra, por dietat ushqimore janë të pamjaftueshme. S’kemi dalë për lëmosh.”
Kompania Bankers më herët ka deklaruar se nuk ka mundësi financiare për të rritur pagat e naftëtarëve.
Në ditën e 10-të të grevës , punonjësit e Bankers Petroleum, i janë drejtuar nëpërmjet një shkrese zyrtare Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatit të Popullit dhe Ambasadorit të BE në Shqipëri, Silvio Gonzato , ku kërkojnë vëmęndje dhe përkrahje urgjente, për të parandaluar çdo pasojë më të rëndë për shëndetin dhe jetën e punonjësve.
Më herët, naftëtarët i janë drejtuar dhe Kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe institucioneve të tjera shtetëtore për ndërhyrje institucionale në zgjidhjen e situatës së krijuar si pasojë e grevës së urisë dhe pezullimit të punës në vendburimin e naftës Patos- Marinzë.
Komente












