Griselda! Ah Griseldë! E bukura Griseldë! E veshur si nuse me një fustan të bardhë

Griselda! Ah Griseldë! E bukura Griseldë! E veshur si nuse me një fustan të bardhë

Në Kurbnesh, te shtëpia e Griseldës së vrarë në Laprakë, ishte krijuar qysh në mëngjes herët rreshti i burrave e i grave që i shkonin Ilirit, të atit të saj, për ngushëllim. Po po, atij Ilirit që fantazia e babëzitur e mediave online apo e policëve informatorë, e kishte bërë një baba që kishte braktisur fëmijët. Vihem në rresht edhe unë me burrat e tjerë. Na presin kushërinjtë e Ilirit të rreshtuar, sikur është zakon ndër këto anë tonat, e më pas takojmë edhe Ilirin.

Dialogu është shumë i shkurtër:

“A u mërzite?”

“Po shumë”

“Zoti të dhashtë forcë”

“Zoti të rujt!”.

Vishem me rrobat liturgjike dhe drejtohem në heshtje kah arkivoli. Te kryet e Griseldës është Drita, nana, që po të njëjtat media apo policë informatorë e kanë bërë të vdekur. Dritës po, i ka vdekur drita e syve, është fishkur ajo dritë. Asaj po, i ka vdekur bami i kraharorit të saj. Kjo po është vdekja e saj e jo ajo e portaleve.

Griselda! Ah Griseldë! E bukura Griseldë! E veshur si nuse me një fustan të bardhë. Hyjnisht e bukur. Pak më shumë se një fëmijë, pak më pak se një e rritur. Duket sikur asaj bukurie i bëjnë kurorê malet pêrreth që e kanë parë të lindë, të hedhë hapat e parë e të shqiptojë fjalët e para. Kushedi sa herë malet përreth kanë lozur me të qarën apo të bërtiturat e saj duke e hedhur sa nga një shpat në tjetrin e duke ia kthyer sërisht asaj në jehonë. Sot ato male duken sikur janë pêrthyer nga dhimbja, sepse e dinë se nuk do të mund të jehojnë më kurrë zërin e Griseldës.

Sapo nisi lutja u bënë bashkë Iliri, Drita dhe dy fëmijët e tjerë, djali 15 vjeç dhe vajza tjetër 10 vjeçe. Shikonin me sy të përlotur, herë mua e herë Griseldën. Luteshim të gjithë sa ishim, në heshtjen e atyre maleve ku rripave të bardha të dëborës iu shtohej edhe e bardha e fustanit nusëror të Griseldës. Edhe burrave iu skuqën sytë ndërsa thonim de profundis, nga humnera klitha drejt teje o Zot.

Në një çast m’u duk se edhe ajo po lëvizte buzët duke u lutur me ne: “Nga humnera klitha drejt teje o Zot/ O Zot dëgjoje lutjen time …”

Nuk gjeja fjalë. Vetëm pak fjalë e shumë heshtje. Cila fjalë mund të ngushëllojë zemrën e një nane? Cila fjalë mund të rikrijojë në kraharorin e saj një Griseldë tjetër? Në këto raste ia kam frikën fjalës time dhe e lë të heshtë. Nuk e nxjerr nga goja, se kam frikë mos kthehet në plumb apo ndoshta bëhet thjeshtë e kotë. E atëherë lexoj Fjalën, atë të Zotit, me F të madhe. Vetëm ajo ngushëllon si duhet dhe kur duhet. Vetëm ajo Fjalë gjen ato shtigje të papërshkuara e të panjohura të shpirtit, ashtu sikurse vetëm Griselda din shtigjet ku ka luajtur në fëmijërinë e saj. Ajo Fjalë depërton thellë dhe vetëm ajo jep shpresë.

Lutja mbaroi e Iliri më kërkon t’i bekoj kullën e tij të varfër ku jeton. E bekoj edhe kullën e ngjitem aty ku rrinë burrat që vijnë me pi kafen e mortes. Pak fjalë e shumë heshtje. Heshtje! Nuk ka fjalë. E vetmja që flet është dhimbja. Dhimbja flet në heshtje.

Nga jashtë dëgjohen britmat e grave që vajtojnë me fjalë e herë pas here dëgjohet zëri i Dritës: “Ah e mjera unë për ty oj Griselda ime”.

Pijmë kafen e themi ato fjalë që kanë mbet të pandryshume për shekuj e shekuj: “Zoti ju forcoftë! Mos pafshi ma keq! Ju ardhshim për t’mira mas sodit!”.

Çohem e dal jashtë. Bora e parë tashmë ka rënë. Dielli ndrit fort e xen pak n’at shpat mali të Selitës. Bryma që ka rënë gjithë natën ka shtruar tokën.

Largohem, e duke ecur shoh rreshta të tjerë burrash e nga pas gratë, që ruajnë kodet e të ecurit, duke shkuar drejt shtëpisë së Ilirit e Dritës për t’i dhënë lamtumirën e fundit Giseldës.

Do doja të thoja shumë gjëra. Do flisja pa fund për shpresën e këputur të së bukurës Griseldë, të shumë Griseldave, familjeve që për të shpëtuar të ardhmen e fëmijëve të tyre po provojnë të pamundurën. Por është e kotë. Është kohë e humbur, sikurse qe lufta e mjekëve kundër kohës për t’i shpëtuar jetën të bukurës Griseldë. Është kohë e humbur si leximi i portaleve apo informatat e policëve që kanë humbur etikën në të gjitha përmasat e saj e asnjë prej tyre nuk ishte sot aty.

Pusho në paqe Griseldë nëse do të mundesh. Pusho n’ato varre të Kurbneshit, nën hijen pishave të larta, pranë të parave tu, aty diku përbi Kishëzës së shna Ndout. Pusho e qetë e bukura Griseldë, nëse ne do të lëmë të qetë.TEMA

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Era: 04/01/2019 11:06

    Don Gjergji ne shkrimin e tij nuk gjykon njeri por duket sikur po vajton. Mund te vajtojm mund te qajme mund te gjykojm. Por duhet edhe te analizojm kete shoqerin tone, djem te ri qe jetojn me te vjedhura (skiftere) dhe familja e pranon me krenari.te rinjte e tjere i marrin si shembull dhe vajzat u shkojn nga pas si bleta tek mjalti. Nje pjese tjeter esht futur ne politik, te tjere shfrytezojn te mjerat vajza ne prostitucjon. Neve i shohim i njohim. Pastaj jan familjet qe nuk kontrollojn femijet e tyre, nuk i edukojn ne respektin e tjetrit, prinderit kane nje pergjegjesi te madhe ne keto ngjarje si tek vrasesi si tek i dashuri si tek vajza. Jane viktima te kesaj shoqerie pa vlera

    Përgjigju
  • Ani: 03/01/2019 15:52

    Po si ka mundesi qe keta primitive e fejojne qe 14 vjec a thua se jemi ne Afganistan. Ska shtet. Ai maniaku qe e mori femije-grua dhe qe abuzoj duhet te denohet. Jemi perfundimisht vend primitive ku injoranca eshte ulur kembekryq. Turp

    Përgjigju
  • Ilo: 29/12/2018 17:25

    Nuk po e kuptoj shume Dom Gjergjin e para prinderit jetojne me femijet apo femijet jane larguar nga shtepia pa lejen e tyre te banojne ne Tirane,ne te dy rastet duhet te nderhyje shteti ,punonjesit e policise bashkiake te bashkise se Reshenit duhet te dine si e kane gjendjen ee familjeve te NJ Administrative dhe duhet te kishte njoftuar Policine e Shtetit , E dyta ne rast se ndarja e prinderve ka ndodhur ketu kemi te bejme me krim akoma me te madh.

    Përgjigju
  • Konjak: 29/12/2018 14:28

    Griselda ishte femi,e kendshme dhe me shpirt te pa trazuar,por edhe dy pjesetaret e tjere te tragjedise nuk se ishin me te formuar.Tek te tre ka nje munges njohie ,munges formimi.Te gjith e dim se,femia eshte pasqir e prindit;me dhjetera ngjarie te tilla ka ne shqiperi,nga vertetohet se,puna prinderore dhe shoqerise,per edukimin e brezit te ri,-ne pergjithesi -eshte per faqe te zeze.Me mir nje fjale e embel prinderore sot ,-se njemije psikolog mot-.Duhet te kesh vesh shum te forte, per te digjuar vleresimet e sinqerta.

    Përgjigju
  • Proka: 29/12/2018 11:08

    E kam lexuar shume here kete shkrim dhe nuk mundem pa shprehur mendimin tim. Se pari fajtore jane prinderit e vajzes minorene te ndare,nuk shprehen interesim per femijet e tyre,prinder kriminela,mamaja jeton ne itali me burre tjeter, pa perkujdesje te femijeve te saj. Kush i dha leje udhetimi ne Itali pas ndarjes,femijet minorene do duhej te ishin mete e jo larg mamase. Kallezim penal duhet bere per punonjesit e shtetit te cilet dhane leje udhetimi duke lene femijet te jetojne vetem ne kryeqytet pa mjete materiale. Kete situate shfrytezuan kriminelet per perfitime materiale per ta shitur vajzen si prostitute edhepse nuk pranohet nga sherbimi sozial familjar. Krim, krim,krim.

    Përgjigju
  • Met: 29/12/2018 09:26

    Sa bukur shkruan Gjergj!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia zbulon komplotin e Ukrainës, bombë e fshehur në altoparlant për të vrarë oficerin e lartë

Rusia zbulon komplotin e Ukrainës, bombë e fshehur në altoparlant për të vrarë oficerin e lartë