Një “shfaqje grash” e cilëson regjisorja Suela Bako shfaqjen “Gruaja me sirtarë”, e cila vjen premierë të hënën në Durrës. E vërteta e një gruaje, - thotë Bako, -është përballë pasqyrës së saj, dhe pikërisht këtë të vërtetë synon që ta rrëfejë drama.

“Kam zgjedhur të rrëfejmë historinë e një gruaje të abuzuar, që e gjen shpëtimin në momentin që vendos ta ndajë këtë eksperiencë me psikologun e saj, edhe për t’i komunikuar audiencës dhe grave me fat të ngjashëm me të sajin, që ka zgjidhje, që vetëm ato mund ta shpëtojnë veten, duke folur dhe duke mos u mbyllur brenda vetes.”, thotë regjisorja Suela Bako.

E shkruar nga autorja Anisa Markarian, pjesë e shfaqjes është edhe aktorja Mimoza Marjanaku, e cila i jep jetë personazhit të Vesës.

“Për mua, roli i Vesës është sfidues në gjithë karrierën time. Isha në kërkim të një roli të tillë. Monodrama për shkak të intimitetit që ka si pjesë ka nevojë për vërtetësinë që kërkon filmi. Kemi arritur të bëjmë jo teatër në salla të mëdha, por për të arritur vërtetësinë që ka para kamerave të filmit.”, thotë Marjanaku.

Puna për shfaqjen ka zgjatur dy vjet, ndërkohë që gjatë kësaj kohe, dramës i janë shtuar dhe personazhe të tjerë, siç është ai i psikologut.

“Në kuptimin teknik është pozicion i vështirë sepse duke qenë se ngarkesa e rolit tim është relativisht e vogël për aq sa kam pjesë të jem sa më i saktë dhe konciz në atë që bëj. Në kuptimin tjetër, ky pozicion që kam është shumë i lehtë në kuptimin që është kënaqësi që jam pjesë e një stafi të përbërë vetëm nga gra, të cilat kanë një lloj ndjeshmërie më të madhe në ndryshim nga kolegët meshkuj", tha Romiri Zalla.

Drama do të ngjitet në skenën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve për shkak se Qendra Kulturore e Durrësit është në proces rikonstruksioni. Drama vjen premierë për publikun në datat 24 dhe 25 nëntor, në orën 19.00.