Një delegacion i lartë i policisë Italiane që kryesohej nga Drejtori i Drejtorisë Hetimore Antimafia z. Maurizio Vallone ishin u takuan sot me drejtorin e Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku.

Lufta kundër grupeve kriminale që veprojnë në Shqipëri dhe Itali por dhe bashkërendimi i aksioneve policore mes të dyja vendeve solli në Tiranë një delegacion të lartë të policisë italiane që kryesohej nga Drejtori i Drejtorisë Hetimore Antimafia z. Maurizio Vallone.

Ai është takuar me Drejtorin e Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku dhe drejtues të tjerë të Policisë së Shtetit në ambientet e këtij institucioni.

“Diskutimet gjatë kësaj vizite u fokusuan tek intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet policive të të dy vendeve, për të hetuar në mënyrë të përbashkët, grupet kriminale të trafiqeve, që veprojnë në të dyja vendet, si dhe për të bashkërenduar aksionet policore me qëllim shkatërrimin e këtyre grupeve, arrestimin e pjesëtarëve, si dhe sekuestrimin e aseteve financiare të tyre" thuhet në njoftimin e medias.

Drejtori i Përgjithshëm Rrumbullaku nga ana e tij falënderoi z. Vallone dhe përfaqësuesit e zyrës së Interforcës italiane në vendin tonë, për partneritetin e ofruar nga këto struktura dhe nga policia italiane në tërësi.

Ky partneritet ka gjeneruar rezultate tejet pozitive në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe shprehu bindjen se raportet e bashkëpunimit dhe të miqësisë do të zhvillohen edhe në aspekte të tjera policore, për të garantuar sigurinë e qytetarëve të të dy vendeve, theksoi Rrumbullaku.

Nga ana e tij Drejtori i Drejtorisë Hetimore Antimafia të Italisë vlerësoi Drejtorin e Përgjithshëm, për aktivizimin e plotë të Policisë së Shtetit, kryesisht gjatë viteve të fundit, për të marrë pjesë, për të koordinuar dhe për të drejtuar operacione të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e narkotikëve, në fushat e tjera të trafiqeve dhe kundër krimeve kufitare.