TIRANE- Një ditë pas refuzimit të kryeministrit Rama për ardhjen e armëve kimike siriane në Shqipëri, ende në PD s’ka paqe. Situata është e acaruar dhe grupimet kundër Bashës s’ia falin pozicionimin zyrtar kundër ardhjes së armëve kimike dhe për më tepër atë dalje të panevojshme në në mes të protestës, që u shoqërua me dëbimin e turpshëm bashkë me Berishën nga turma e protestuesve.

Mësohet se dy grupimet, ai i Olldashit dhe i Topalli-Bodes i kanë kujtuar kreut të PD se pozicionimi i hapur kundër SHBA për armët kimike, ndërsa me ambasadorin Arvizu ishte arritur akordi që do ngrihej zëri vetëm për të denoncuar mungesën e transparencës nga Rama, po e kthen PD në të njejtën situatë ku ndodhej më 1997.

Dhe kjo i kushtoi PD 8 vite me radhë PD në opozitë, dhe do qëndronte akoma nëse s’do çahej e majta. Dhe përpjekja e Berishës dhe Bashës për të marrë kauzën e qytetarëve kundër armëve kimike me përfundim dëbimin e kreut të PD e ish-kryetarit, solli uljen në zero të kuotave politike për opozitën.

Kjo sipas grupimeve kundër Bashës në PD ka jo vetëm mungesë idesh, por dhe paaftësi për të bërë opozitë e një dominim i emocioneve mbi saktësinë politike, e parë kjo me kundërvënien ndaj SHBA, që sipas këtij grupimi, nuk është fajtore për humbjen e PD më 23 qershor. Duke përmendur dhe kauzën e humbur të Korçës, ata shprehen se u humb dhe mbështetja e SHBA.
 
Grupi i Bashës
Grupimi i Bashës tenton ta zhvendosë shënjestrën tek Rama në lidhje me antiamerikanizmin. Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, akuzon Kryeministrin Rama se ishte ai që nxiti protestën e parë të shqiptarëve përpara Ambasadës amerikane. Sipas tij në çështjen e armëve kimike siriane, Rama u tregua një aventurier që kërkoi përfitim personal dhe u tërhoq vetëm atëherë kur e braktisën të gjithë. U tërhoq jo për arsye parimore por sepse e braktisën të gjithë.

Bumçi mendon se Rama i tha jo armëve kimike nga Siria, atëherë kur mbeti realisht vetëm. Sipas tij mënyra si Rama hyri në këtë lojë është ajo e një aventurieri që kërkon të përfitojë personalisht.
 
Bumçi
“Protestën para ambasadës amerikane e gjykon të padrejtë, por mendon se ishin sinjalet që lëshonte Rama që çuan qytetarët në derën e ambasadorit Arvizu”.
 
Gent Strazimiri
“Arvizu, më 21 janar ju quajti celulë anti-SHBA”
 
“Keni protestuar ju bashkë me deputetët 20 mijëleksha në sheshe për 4 vjet, keni bllokuar rrugë të pashqetësuar madje keni fjetur gjithë bashkë në çadra për 3 javë "pa ngrënë" mes bulevardit. Rininë e dlirë që ju bëri kaps mos e krahasoni me kokëpalarët e 21 janarit siç i quajti Meta apo celulë anti-amerikane që sulmoi pas shkak policinë siç i quajti Arvizu. Vazhdoni lëpirjen”, thotë Strazimiri.

Shkrimi u publikua sot (17.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)