E premtja në mbrëmje do të jetë një natë e dedikuar boksit në Tiranë, pasi ‘Grushti i Hekurt’ organizon ndeshje të boksit profesionistë dhe olimpik në sheshin ‘Italia’.
“Ndeshja kryesore është Alban Bermeta që ka përballë kampionin e Afrikës nga Namibia. Një nga ndeshjet më të bukura ta natës, spektakël i garantuar. Shumë emra të mëdhenj të boksit shqiptar. Roxhers Muslia kampion bote U-25 si dhe Alban Beqiri. I njohur për boksimin e bukur,”-u shpreh promotori i boksit Nelson Hysa.
Me interes të madh priten edhe përballjet e kombëtares shqiptare në boksin olimpik ose siç njihet ndryshe boksi amator.
“Jemi përgatitur shumë për këtë aktivitet. Kemi kontaktuar kombëtaren e Greqisë e cila do të jetë prezente për ndeshjen e boksit olimpike. Gjithashtu do të jenë edhe 9 ndeshje të boksit profesionist,”-deklaroi Florend Kalivopulli, president i FSHB.
Pritshmëritë nga aktiviteti janë të mëdha për të parin e boksit shqiptar.
“Sipas infove që kemi edhe Greqia ka ardhur me një kombëtare shumë të mirë. Shpresojmë që edhe boksierët profesionistë të bëjnë më të mirën për veten e tyre,”-u shpreh Florend Kalivopulli, president i FSHB.
Eventi ‘Grushti i Hekurt’ organizon disa aktivitete në Shqipëri brenda vitit, por ky i qershorit është bërë tashmë traditë.
“Çdo vit në këtë periudhë do të kemi këtë aktivitet tradicional për të shpalosur vlerat më të mira të sportit, por edhe të muzikës sepse do të jetë një natë argëtuese për të gjithë pjesmarrësit,”-tha promotori i boksit Nelson Hysa.
Përveç djemve eventi ‘Grushti i Hekurt’ parashikon ndeshje boksi edhe mes vajzave, ndërsa nis me duele mes fëmijëve të talentuar. Të gjithë sfidat do të jenë në ambient të hapur.
Komente









