Gryka: Berisha financon SHISH
kundër Ramës, do destabilizim

TIRANE- Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ish-truproja e Azem Hajdarit, kreu i shoqatës me të njejtin emër, Marjan Gryka thotë se Berisha po sponsorizon SHISH kundër Ramës dhe radhët e PD-së dominohen prej tyre. Ai kërkoi arrestimin e Berishës, ndërsa akuzon se mafia brenda PD-së pushkatoi liderin e dhjetorit Hajdari.
 
Si e vlerësoni gjendjen e së djathtës shqiptare sot, ndërsa jeni shprehur shpesh se ajo duhet riorganizuar, madje nga ata që bashkë me Azem Hajdarin rrëzuan diktaturën në dhjetor ’90?
Sot e djathta shqiptare nuk ndodhet vetëm në një krizë të madhe politike brenda saj, por tani çdo anëtar që i përket këtyre bindjeve e shikon se si familja që mban vulën e partisë, e ktheu bindjen si tek sheshet që thyhet dollari, ku Lulzim Basha në shërbim të vulës së Partisë ka vënë 40 drejtoritë e Bashkisë së Tiranës. Njëherësh duke u mohuar qytetarëve të Tiranës vullnetin e tyre dhe zhvillimin për një kryeqytet ndryshe dhe duke i nxirë faqen të djathtës përpara qytetarëve të Tiranës me privatizimin e Bashkisë, në shërbim të familjeve mafioze komuniste, me urdhër të Saliut ai vendos kohët e fundit në këto drejtori 90% tropojanë.

Dhe këto lëvizje Saliu nuk i bën se i ka dashur ndonjëherë ata, sepse Saliu dhe fisi i tij janë nga fshatrat e Pukës e jo nga Tropoja, por kur të parët e tij e prenë në besë luftën e burrave të Pukës, pastaj fisin e Saliut e përzunë nga fshati dhe e nxorrën jashtë tij me turp dhe ikën në Vicidol të Tropojës! Këto veprime i bën për të treguar dashurinë e tij të dhelprës për të mbuluar 180 vrasjet e ndodhura në Tropojë ku shumë djem nënash u vranë pabesisht nga politika. Saliu e di shumë mirë se për një zhurmë të mundshme për interesat e tij familjare, qytetarët e Tiranës e mbarë Shqipërisë i kanë kthyer shpinën, dhe e vetmja rrugë për të kërcënuar Ramën ngelet Bashkia private e familjes që po organizon firma ndërtimi e të tjera për zhvillimin e zhurmave të tritoleve deri në Fushë-Krujë.

Shumë OJF dhe firma të falimentuara po sponsorizohen në mënyrë të fshehtë për organizimin e përkrahjes finale të Visho Ajazit dhe të SHISH kundër qeverisë së Ramës e të presionit të brendshëm në PD, ku në çdo mbledhje që organizohet brenda këtyre strukturave, salla mbushet plot me individë të SHISH e jo anëtarë të PD-së. Imagjinoni ku ka degraduar politika shqiptare sot. Veset e vjetra të Saliut për të nxjerrë grupe armiqësore brenda PD-së nuk kanë munguar e s’mungojnë. U zbulua dhe grupi tjetër kundër Bashës. Pra Jozefina Topalli bëri revoltë në parti, po ka ndryshim të madh nga lëvizjet politike të Olldashit, Dodës, Patozit etj., sepse Nexhmija(Joz) sa ishte Enveri(Sal)në krye, i mbante dhe... çadrën për të mos u lagur!
 
Ju e shihni klanin e vjetër jashtë PD dhe në parti të tjera...?
Kur e la partinë Enveri e erdhi Ramizi(Luli) ‘Nexhmija’ shpërtheu sepse ju prishën interesat e saj financiare dhe e ardhmja për kandidaturat e ardhshme të njerëzve të saj, në Tiranë e kudo, për deputet e bashki ku kjo lëvizje shumë shpejt mund të jetë një reformatore si e Pollos dhe e Ndokës që i kishin vetëm mashtrime dhe lëvizje politike fallco të ndodhura pas vrasjes së Azemit! Pra ‘Dezinjatorja’ luan duke bërë presion por ne e dimë se ajo s’loz dot kurrë kundër Saliut, arsye që i di vetë.

Nga politika mund të largohet, por kundër Saliut s’mund të bëjë asgjë sepse ‘plaku’ është shumë kompetent përballë saj! Si misionarë të vetë Saliut duan që Jozin ta vendosin në krye të Demokristianëve të kësaj partie me vlera të mëdha, po jo me të pavlerë, si e Nardit e të Jozit që këta të dy mbajnë mbi supe vrasjen e kryetarit të PDK-së Malësi e Madhe Aleks Kekës, ku Nardi akuzonte Jozin dhe PD-në në atë ditë! Pra çdo hap që bëjnë janë të vetë Saliut për t’i hedhur dhe, nga një grusht dhe vrasjeve të bëra nga dora e politikanëve, ku këto ditë me çdo lloj çmimi po e paguajnë tritolin në Shkodër për ta përhapur më tej. Por shkodranët njohin vetëm zhgënjim dypalësh dhe nuk mashtrohen më, lëvizja e “Dezinjatores” vjen edhe si lojë për të mbuluar turpin e diktaktin që po bëhet brenda familjes ku Basha s’lejon zgjedhje të ndershme dhe shpreson tek destabilizimi dhe jo tek e ardhmja.
 
Lulzim Basha është kryetar i PD, i zgjedhur nga anëtarësia...?
Tani ai nuk është më, jo kryetar i PD-së që nuk ka qënë kurrë, por as kryetar Bashkie s’është më, po është sekretar e partisë së Saliut dhe sekretar i Enno Bozdos, që është nënkryetar i Bashkisë, i biri një sigurimsi. I ati i tij ish-koleg komunist i ‘Penicilinës’. Pra jemi para një katrahure pa dalje e pa zgjidhje por edhe afër një revolucioni brenda të djathtës. Shoqata “Azem Hajdari”, e shpallur armike nga familja e vulës së partisë po organizohet çdo ditë për revolucionin e domosdoshëm, ku do të triumfojë e drejta e konkurrenca e lirë, ku qytetarët vijnë dhe njëherë te shtëpia e tyre e djathtë, te ajo shtëpi që krijoi Azem Hajdari me Dhjetorin ‘90 e jo ‘Lul Berisha’ me ‘Katovicën’ e lakejtë e tij.

Shoqata u kërkon ndjesë qytetarëve të Tiranës për privatizimin e Bashkisë së tyre nga ‘KOPI’, por u deklaron me përgjegjësi të plotë se ata që e kthyen bashkinë në ‘Sude’ e ‘Xhaferri’ nuk përfaqësojnë dhe s’kanë përfaqësuar kurrë të djathtën. Ne jemi me popullin, sepse ju ishit në krah të Azemit, kur rrëzuat diktaturën e kolegët e atyre që mbajnë peng vulën e partisë së Azemit e Bashkinë tuaj.
 
Po qëndrimi ndaj mazhorancës cili do të jetë...?
Ne, Shoqata ‘Azem Hajdari’ ju themi se kemi qenë dhe do të jemi kundërshtarë politikë të përjetshëm të PS-së, por jo armiq të tyre. Pasi është e drejtë e kujtdo sot të ketë bindjet e veta politike dhe nuk ka zot që na ndal për rrugën e Lirisë dhe Demokracisë, që ishin fryma e lufta që Azem Hajdari bëri e për të cilat edhe u pushkatua nga mafia brenda PD-së, në bashkëpunim me elementë politikë në detyrë të PS-së.

S’ka pasur as nuk do ketë pranga për të na lidhur duart tona e s’ka Sali që të shpresojë te presionet që bën me struktura Sigurimi se do na ndalë, për dërgimin e tij dhe shumë të tjerëve përpara Drejtësisë..I themi sot Edi Ramës se dështimet në drejtësi e kudo s’janë vetëm për ty, por për gjithë shqiptarët që shpresuan si politikani i fundit në provë para këtij populli. Po ju në vend që të rihapni hetime për çështje themelore e vrasje të bujshme, merreni me fletushka duke ia dërguar atyre që i akuzuat vrasës të 21 Janarit ku kjo ju implikon rëndë dhe ju, sepse i ngjan bashkimit me Metën.

Po qe se të pushton frika për të arrestuar ata që po t’i kërkon dhe politika ndërkombëtare, atëherë lërja Metes sepse ai ia kishte marrë dorën mirë Saliut, siç ia bëri me Ilir Gjonin atë natë që e arrestoi! Në të kundërt, shqiptarët e dinë mirë përgjigjen shumë shpejt.. Sot ne të themi: Ik dërgo strukturat e shtetit dhe heto Spitalin Amerikan në Tiranë dhe shiko i kujt është. Ai spital ka vetëm emrin ‘Amerikan’, po shko dhe zbulo se i kujt është dhe bashkë në të mund të dalin edhe nga partia jote e implikuar! Dil tregoju shqiptarëve se për ‘amerikane’ kemi Ambasadën e jo mafien politike shqiptare që fshihet pas emrit të spitalit! Të dhamë një informacion publik e jo të fshehtë siç e bëjnë PS e PD për 20 vite, sepse ne duam shtet të së drejtës e jo Edi Ramën.
 
Çfarë kërkoni konkretisht...?
Duam që prona të shkojë tek i zoti dhe jo tek Saliu, duam që vilat e prokurorëve e gjyqtarëve të shemben bashkë me llogaritë bankare të bëra me pazare të pista, duam edhe po nuk deshët ju zoti kryeminister, shkatërrimin e disa gazetave në vend, të bëra me lekët e bizneseve dhe të individëve të përlyer me afera të pista ku vrasësit janë badigardë të këtyre mediave, ku vetëm një makinë e pronarëve të këtyre gazetave kushton mbi 150 mijë euro.

Duam që listën me akuza që ke në tavolinë ta bësh realitet e jo të vazhdosh të rithuash gjithë ditën ‘fajin e ka Saliu’! Sepse sot faji bie mbi ju. Duam të shkosh në Veri e të marrësh masa për gjakmarrjen në këto zona që shpresuan shumë te ti. Të garantojmë me 100% se Veriun e ka mbuluar krimi, droga e trafiku i armëve, ku çdo gjë e shoqërojnë ish-policët e Saliut, e sot të tutë! Emigrantët e shumtë shqiptarë në Greqi janë tepër të zhgënjyer, mirëpo informacione ka sesi këta po shtohen me mijëra dhe në Shqipëri. Sepse në shumë gjëra këto muaj qeverisjeje po i ngjajnë 8 viteve të shkuara. Po të ishte për të rrëzuar ndërtime pa leje s’kishe pse shkoje aq larg deri në Vlorë për Bashën, ke Durrësin 15 min ku gjen me shumicë dhe të atyre që akuzon, por dhe të PS-së. A.A

Shkrimi u publikua sot 26 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com) 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kuçovë/ Shiste ilegalisht kapsolla në dyqanin e saj, nën hetim 52 vjeçarja

Kuçovë/ Shiste ilegalisht kapsolla në dyqanin e saj, nën hetim 52 vjeçarja