Guri i randë peshon n’vendin e vet…

Guri i randë peshon n’vendin e vet…
PAK HISTORI PËR BUJANIN…
 
Bujani njihet si qendër e banuar në vitet 3100-1800 para Krishtit. Këtu ka qënë qendra e principatës së Pultit,paraardhësit e Dukagjinit.Gjatë shekujve krahina e Pultit pësoi shumë ndryshime territoriale. Ajo u nda në Pulti i Epërm dhe Pulti i Poshtëm. Në Pultin e Epërm bënin pjesë Gashi,Krasniqja,Nikaj Merturi, Luma,Mirdita,Spaçi dhe Fani. Qendra kryesore intelektuale dhe shpirtërore e Pultit ka qenë në Pultin e Epërm,në fshatin Gri të Bujanit.
I pari i Pultit ka qenë nga familja feudale e Pjetër Spanit, me qendër në Selimaj të Bujanit.
 
Fshati  Bujan i Malësisë së Gjakovës ( Tropojës),do të thotë shumë për historinë shqiptare,sepse nëpër shekuj është shquar  në shërbim kombit.
Në Bujan kane lindur Mic Sokoli,Col Delia,Tahir Sinani. Në këtë fshat është mbajtur Konferenca e Bujanit me 31 dhjetor 1943 dhe  l e 2 janar 1944. Në Bujan janë zhvilluar shumë ngjarje historike për kombin. Në Bujan,në vitin 1916,sipas studiuesve,është krijuar për herë të parë administrata civile ,nënprefektura për krahinën e Malësisë së Gjakovës.
E pikërisht në Bujan  i ka rrënjët e saj dera e njohur e fisit të Krasniqes.
 
PARAARDHÊSI I NIMAN SYLËS – ORUÇ HASA
 
Katërqind vjet më parë,pinjolli  i kësaj familjeje zbriti nga Strellci i Pejës,duke braktisur tokat për t’i shpëtuar ndjekjeve të pushtuesve të huaj dhe zuri vend në Bujan të Krasniqes. Prejardhja e tyre ishin prej një trungu atdhetarësh,trimash dhe burra të shquar për urtësi e mençuri. ndër ta spikaste Oruç Hasa,gjyshi i Nimanit.
Oruçi ishte i njohur për karakterin e tij të forte,ndershmërinë,besën,burrërinë,mençurinë dhe mikpritjen. Kulla e tij rrinte hapur çdo herë për mikun dhe ishte një pritë e pakapërcyeshme për armikun,sidomos në kohën e Reformave të Tanzimatit.
Ngjarjet e vitit 1843 e nxjerrin në dritë si duhet figurën e Oruç Hasës,ku së bashku me Bujanin dhe Krasniqen vendosi të mos pranoheshin Reformat e Tanzimatit në Malësi. Ai u zgjodh kryetar i përfaqësisë për të biseduar me Portën e Lartë,por nuk arriti të bisedonte,se nxori koburen dhe i la të vrarë te porta e sarajit në Gjakovë.
Trimëria e Oruç Hasës gjeti vend në shumë këngë që populli i ngriti kësaj figure patriotike:
Rrmisht po flet ai Oruç Hasa,
Lëshom kafaz të shkoj te Pasha,
Ndo me gjak u lanë këto dërrasa,
Qet koburja flake e gaca…
 
Na e kanë lanë të parët amanet,
Guri i randë peshon në vend të vet…
 
Sylë Oruçi mori pjesë në të gjitha kryengritjet anti osmane të viteve 1864-1969 dhe 1875-1878,ku u shqua për trimëri dhe mendjemprehtësi në vlerësimin e situatave.
 
Siç spjegon për Shekullin,pinjolli I kësaj famileje të madhe dhe të njohur në Tropojë,e më gjerë,Riza Adem Doçi,punonjës në bashkinë e Bajram Currit, Oruçi la trashëgimtarë Selmanin,një nga prijësit kryesorë të Krasniqes,Bajramin,atdhetar dhe mik i ngushtë e luftëtar me Haxhi Zekë Byberin dhe Sylë Oruçin,pjesëmarrës në mbledhjen për themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878. Riza Doçi citon ,se, përveç Oruçit, në dokumenta arkivore është zbuluar se ka marrë pjesë edhe Bajrami,atëherë 18 vjeçar.
 
PASARDHËSI I DERËS SË ORUÇ HASËS
 
Në historinë e kësaj dere të madhe të Krasniqes,ka mbetur pinjolli i saj,Niam Sylë Doçi,i biri i Sylë Oruç Hasës. Ai lindi në Bujan,ku ishte vatra e vjetër e familjes së tij.Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në Bujan,por më vonë së bashku me të atin,Sylën,u vendos në fshatin Tpla. Kulla e tij në Tpla ruan një traditë të vjetër të kullave malësore. Te kjo kullë,vijon bisedën Rizaja,spikat historia e shekujve. Te kjo kullë linden vargjet lapidar:
“Lufto bir ti për Shqipni,
Në koftë nevoja,vi me ty…”
E veçanta e Nimanit ishte trashëgimia e  gjyshit dhe babait të tij për urtësi,ndershmëri,trimëri dhe mençuri jo vetëm në Tropojë,po n krejt  Rrafshin e Dukagjinit e më gjerë.
 
Në betejën e Nokshiqit dhe të Velikës,trimëria e Sylë Oruçit dhe të birit,Niman Syla ka mbetur e skalitur në pasaportën e historisë kombëtare. Në këto beteja të një pasnjëshme, Niman Syla u plagos rëndë.
Nima Syla ,ndonëse vetë ishte pa shkollë,e çmonte dhe ia njihte vlerat arsimit. Që në vitin 1908 së bashku me Bajram Currin,u përpoqën të hapnin një shkollë në Krasniqe .Ata mundën të hapnin shkollën shqipe vetëm në vitet 1922-1925 në Bujan dhe Degë,ku shkruan edhe gazetat e kohës. Një ndihmë të çmuar për hapjen e shkollave shqipe ka dhënë edhe Shpend Bali Bisheva ,i njohur në historinë shqiptare,si Shpend Dragobia.
Vitet e fundit të jetës Niman Sylë Doçi i kaloi në kullën e tij në Tpla të Krasniqes. Tashmë plak,por jepte këshilla pasardhësve të tij për shuarjen e vëllavrasjes,që ishte një plagë e pashëruar në krahinë. Ai vdiq më 28 mars 1933. Emri i tij ka mbetur i shkruar me germa të ndritura në histori në luftërat dhe përpjekjet për mbrojtjen e Plavës dhe të Cucisë, në Shtimje,në Kuvendet e Pejës dhe të Junikut,në kryengritjet e mëdha antiosmane në Kosovë dhe në Malësi të Gjakovës.
Niman Syla pati një vëlla, Oruçin,i cili la një djalë, Sadikun,por ky  thotë më tej Rizaja,vdiq i ri e la edhe ky vetëm një djalë,Ademin, babain tonë.
 
TRASHËGIMTARËT E NIMAN SYLËS
 
Niman Syl Doçi la trashëgimtarë dhe  ditën të mbanin lart emrin e të parëve dhe familjes së tyre. Pesë djem e pesë vajza të Niman Sylës sot janë bërë një fshat i  tërë të shpërndarë pothuajse në çdo skaj të botës. Djemtë ndoqën traditat e të atit dhe të të parëve të tyre,duke u rreshtuar me armë në dorë në formacionet partizane ,prej ku katër prej tyre u bënë kuadro të luftës.
 
Rizaja flet për të parët e tij,e citon se për Niman Sylën janë shkruar edhe libra,duke ua treguar brezave historinë e familje më të njohur në Tropojë.
 
Ali Nimani,djali i madh i Niman Sylës, ka qenë deputet disa legjislatura për Tropojën dhe zëvendës kryetar rrethi. Ai ka lënë dy vajza: Ajshe Doçi,vdekur në vitin 1975 dhe ka punuar me vite të tëra si drejtuese pushteti në Tropojë dhe më vonë pedagoge në Universitetin Shtetëror në Tiranë.
Veli Nimani,ushtarak me akademi,ka qënë komandant brigade para dhe pas lufte në Gjakovë,Shkodër dhe Tiranë. Është deshmor i Atdhut. Ka lënë tre djem e një vajzë:Halil Veli Doçi,mbaruar studimet në Moskë dhe ka punuar në gjykatën e Tiranës. Tani pensionist ..Skënderi ma arsim të lartë,ushtarak,mbaruar studimet në Moskë,ka punuar në Flotën Detare. Ka qënë disa legjislatura deputet i Tropojës. Jeton e banon në Tiranë dhe ka dy djem e një vajzë ,të gjithë me shkollë të lartë. Fatbardhi  aktualisht jeton në Amerikë familjarisht .Ka mbaruar studimet e larta dhe është Kandidat i Shkencave .
Maxhun Niman Doçi,me arsim të lartë ekonomist,mbaruar të mesmen në Gjakovë dhe studimet e larta në Itali,ka punuar mbi 30 vjet në ministrinë e Financave si specialist dhe drejtor drejtorie. Ka lënë trashëgimtarë dy djem: Shkëlzen Maxhun Doçi inxhinjer,punuar në Telekomin Shqiptar,i pushkatuar nga sistemi monist. Djali tjetër ,Iliri,me arsim të lartë. I martuar ,ka dy vajza dhe një djalë me shkollë lartë. Punon dhe jeton në Vlorë.
Shaban Niman Doçi,me arsim të lartë dhe ka punuar disa vite si drejtues ndërmarrjesh e institucionesh në Tropojë. Dy djemtë dhe vajza e tij janë me arsim të lartë. Jetojnë dhe punojnë në Durrës. Njëri nga djemtë është sekretar ambasade në Moskë.
Tahir Niman Doçi ka punuar në Flotën Detare. Sot është pensionist dhe banon në Durrës familjarisht.
Adem Sadik Doçi,nipi i Niman Sylës,të cilin e ka rritur vetë ai, ka lënë 7 djem dhe dy vajza,të gjithë të arsimuar.
 
EDHE FAMILJE SPORTISTËSH
 
Përveçse patriotë dhe të arsimuar,ndër familjet e vetme në Tropojë,pinjoll të kësaj familjeje janë edhe volejbollistë,thotë Rizaja. Tre fëmijët e Veli Nimanit, Ardiani, Alketa dhe Bledari kanë luajtur me ekipin e “Dinamos’ disa vite kampionë në volejboll.
Alketa Skënder Doçi,ka mbaruar studimet e larta,e martuar me dy djem,ka qënë volejbolliste e   klubit “Dinamo”, disa vjet kampione. Aktualisht jeton në Francë ,duke mos u larguar asnjëherë nga “dashuria” e hershme e volejbollit.
Po kështu edhe Bledari,i vëllai,me arsim të lartë, biznesmen në Tiranë,është volejbollist i talentuar me “Dinamon”,duke ndjekur rrugën e suksesshme të motrës, Alketës.
Pasardhësit e Niman Sylës,vazhdojnë të trashëgojnë patriotizmin dhe intelektualizmin dhe të japin kontribute në fusha të ndryshme të jetës shoqërore kudo që ndodhen,brenda dhe jashtë Atdheut.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Raporti i ISW: Ndalimi i përdorimit të armëve perëndimore nga SHBA në Rusi, po dëmton mbrojtjen e Kievit

Raporti i ISW: Ndalimi i përdorimit të armëve perëndimore nga SHBA në Rusi, po dëmton mbrojtjen e Kievit