Guvernatori mund të jetë edhe i
huaj, PS ndryshon ligjin për BSH
PDF/Relacioni i deputetëve për BSH

Guvernatori mund të jetë edhe i<br />huaj, PS ndryshon ligjin për BSH<br />PDF/Relacioni i deputetëve për BSH
TIRANE- Partia Socialiste duket e vendosur të propozojë për guvernator të Bankës së Shqipërisë një shtetas të huaj. Janë 29 deputetë, vetëm nga kjo forcë politike, që kanë hedhur firmat më datë 26 nëntor për një nismë ligjore, e cila parashikon amendimin e ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, në mënyrë që të hiqet termi “shtetas i Republikës së Shqipërisë” si kusht për guvernatorin e BSH. 

Ligjëvënësit janë: Erion Braçe, Ulsi Manja, Andrea Marto, Ervin Bushati, Namik Dokle, Blerina Gjylameti, Mimoza Hafizi, Evis Kushi, Pjerin Ndreu, Ervin Koçi, Alfred Peza, Namik Kopliku, Ilir Xhakolli, Piro Lutaj, Arben Çuko, Dashamir Kamberi, Vladimir Kosta, Besnik Baraj, Musa Ulqini, Fatmir Toçi, Eduard Bejko, Klodiana Spahiu, Adelina Rista, Erjeta Alhysa, Luljeta Arapi, Artan Gaçi, Vasilika Hysi, Esmeralda Shkjau dhe Anila Agalliu.

Sipas relacionit, Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 161, pika 2, përcakton se "Banka e Shqipërisë drejtohet nga një Këshill, i cili kryesohet nga guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje". Ndërkohë, Neni 44, pika 3, e ligjit për Bankën e Shqipërisë përcakton se "kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë shtetas të Republikës së Shqipërisë”.

Në kushtet kur Kushtetuta nuk përcakton si kriter për zgjedhjen e guvernatorit apo anëtarëve të Këshillit shtetësinë shqiptare, atëhere, mendojnë deputetët, nuk ka pse ky kufizim të jetë në ligj.

Në rast se ky ndryshim miratohet, një gjë e tillë hap rrugën për zgjedhjen edhe të një guvernatori me shtetësi të huaj për të drejtuar bankën qendrore. Kjo ide është shprehur nga kryeministri Edi Rama, pa përmendur emra. Por burimet nga PS kanë bërë të ditur synimin e grupit parlamentar të kësaj partie për të propozuar në Këshillin Mbikëqyrës Denada Priftin, financiere me përvojë në Gjermani dhe institucionet e Bashkimit Evropian, por që ka lënë shtetësinë shqiptare, pasi ka marrë atë gjermane.

Deri tani, presidenti Nishani, i cili duhet të propozojë emrin e guvernatorit të ri për të plotësuar vendin e lënë vakant nga Ardian Fullani, ka lënë të kuptojë se ai nuk do të propozonte në Kuvend një shtetas të huaj, por, në rast se pengesa ligjore për këtë bie, hapet rruga për emrin e preferuar nga qeveria.
Rama ka deklaruar se mazhoranca synon një person me përvojë në institucionet ndërkombëtare për të drejtuar Bankën e Shqipërisë.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën